Trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit është në provat përfundimtare përpara shfaqjes “Vendi më i humbur në Shqipëri”, e parashikuar ta ketë premierën më 15 korrik.
“Vendi më i humbur në Shqipëri” është një komedi e shkruar nga Jean Pierre Martinez dhe përkthyer nga Anxhela Çikopano. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të harruar i cili rrezikon të fshihet nga harta.
Banorët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që fshati të jetojë, por ngjarjet marrin një rrjedhë befasuese dhe të pazakontë, kur në fshat vjen një gazetare e famshme.
Regjisore e shfaqjes është Andia Xhunga, e cila ka vënë në skenë mjaft shfaqje të suksesshme. Komedinë fantastike të Jean Pierre Martinez, Andi Xhunga do ta sjellë në 6 data, përgjatë muajit korrik, në arenën antike të Amfiteatrit të Durrësit me pjesëmarrjen e aktorëve: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Amos Zaharia, Xheini Fama dhe Jaho Guma.
Skenografia dhe kostumografia mbajnë firmën e Alketa Tragajt Myshketa ndërsa muzika nga kompozitori Endri Sina.
Ky është bashkëpunimi i parë i Teatrit “Moisiu” me dramaturgun francez me prejardhje spanjolle, Jean Pierre Martinez. Karriera e Martinez nisi mbi baza të forta akademike, me diploma në ekonomi, marketing, letërsi spanjolle dhe angleze, gjuhësi e semiologji.
Martinez ka eksploruar gjithashtu në zhanre te ndryshme si, duke luajtur në bateri në grupe të ndryshme rroku, semiolog reklamash për disa nga kompanitë më të mëdha të konsulencës, skenarist i mjaft skenarëve televizivë, lektor i gjuhës frënge në një universitet të Teksasit, dhe tani një dramaturg i afirmuar, dramat e të cilit vihen në skenë anembanë botës. Deri më sot, Jean Pierre Martinez ka shkruar 114 vepra teatrale, transmeton ora.