Ballina Politika Ndarja nga jeta e ish-ambasadorit gjerman në Shqipëri! Berisha: Mik i shquar...

Ndarja nga jeta e ish-ambasadorit gjerman në Shqipëri! Berisha: Mik i shquar i ditëve më të vështira të shqiptarëve

6
0

Ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Werner Daum, ka ndërruar jetë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Sali Berisha ka përkujtuar kontributin e tij të madh, duke e quajtur Daum “Ambasador i Lirisë” për shqiptarët. “Daum mbeti një mbështetës i palodhur i Shqipërisë dhe kulturës së saj, duke promovuar idenë e saj në Evropë dhe duke marrë shumë nderime për kontributin e tij. Ai ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira të shqiptarëve, duke luajtur një rol kyç në nxitjen e protestave dhe kryengritjes paqësore në vitin 1990”, shkruan Berisha.

Postimi i kreut të PD-së Sali Berisha:

Të dashur miq, ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, një mik i madh i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, Ëerner Daum, mbylli sytë përgjithmonë në atdheun e tij të dytë, në Shqipëri.

Ambasadori Ëerner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet 1989–1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Ëerner Daum, përfaqësues i kombit të madh gjerman, pasardhës i një familjeje antinaziste i mëkuar me pasionin për lirinë, bëri gjithçka dhe më shumë se kushdo tjetër që të inkurajonte shqiptarët të ngriheshin kundër regjimit komunist diktatorial dhe të ndiqnin rrugën e kombeve të tjera të shtypura ish-komuniste. Me kontaktet dhe takimet e tij direkte me guximtarë të grupeve antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë etj., ai dha ndihmesë tejet të çmuar në inkurajimin e protestave të para antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë në muajt e parë të vitit 1990.

Por veprimtaria e tij për lirinë e shqiptarëve kulmoi si promotor kryesor i kryengritjes paqësore të Rinisë së Tiranës më 2 korrik 1990. Ambasada e vendit të tij, nën drejtimin e tij, u shndërrua në kështjellën e lirisë të 3800 të rinjve që shembën Murin e Berlinit në Tiranë dhe e mbushën atë me kryengritës në çdo skaj të saj. Qëllimi i tij ishte që kryengritja paqësore e 3800 të rinjve që mbushën ambasadën e RFGJ dhe qindra e qindra të rinjve të tjerë që hynë në ambasadat e tjera të mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe të përmbysej kështu edhe në Shqipëri regjimi komunist.

Pas këtij aksioni të jashtëzakonshëm, që u shndërrua në kryelajmin e mediave botërore, ai u transferua nga Shqipëria dhe, mjerisht, shoqëria shqiptare ato ditë historike nuk doli dot nga apatia. Por megjithëkëtë, kryengritja paqësore e 2 korrikut 1990, arkitekt kryesor i të cilës ishte ambasadori Ëerner Daum, do të ishte preludi i revolucionit demokratik të Dhjetorit 1990 që solli përmbysjen e diktaturës komuniste; ndaj dhe ai do të mbetet gjithmonë Ambasador i Lirisë për shqiptarët.

Pas largimit nga Shqipëria, mik i çmuar i shqiptarëve dhe në veçanti i kolosëve Ismail Kadare dhe Martin Camaj, studiues dhe intelektual klasi në elitën akademike gjermane por edhe franceze, Ëerner Daum do të ishte një avokat i Shqipërisë, shqiptarëve, kulturës së tyre. Ai i kushtoi kohë dhe energji të çmuar promovimit të tyre në Europë. Dashurinë dhe respektin e tij për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, identitetin, historinë e tyre, ai e paraqiti në një seri studimesh, referatesh, leksionesh dhe ekspozitash ndër më të arrirat kushtuar atyre.

Për të gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka nderuar këtë burrë të shquar të kombit gjerman me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë. Kurse kryetari i Bashkisë së Kavajës e shpalli më datën 10 korrik 2025 Qytetar Nderi të qytetit.

Unë pata fatin ta takoj përsëri atë më 10 korrik 2025 në Kavajë, në 35-vjetorin e rënies së heroit të parë të demokracisë së Shqipërisë, Josif Buda, në varrimin e të cilit ai kishte marrë pjesë dhe kujtimin e të cilit ai kishte ardhur ta nderonte. Dy ditë më parë pata me ambasadorin një bisedë të gjatë, që së bashku me kujtimin e veprës së tij të ndritur do ta mbaj mend përgjithmonë.