Nga e hëna e datës 21 korrik, kompania OSHEE grup do të nis zbatimin e skemës për pagesën me këste të detyrimeve të papaguara ndër vite.
Thuajse çdo vit kompania ofron akt-marrëveshje me abonentët, të cilët ndahen në tre kategori, familjet në nevojë dhe pensionistët, familjet dhe bizneset.
Enea Karakaçi, administrator i përgjithshëm i “OSHEE Grup”, gjatë një interviste për një emision televiziv dha disa detaje mbi këtë skemë.
“Skema e re vlen për çdo abonent që ka një debi të akumuluar ndër vite. Ne i japim mundësi që sipas kushteve financiare të paguajë detyrimet me këste deri në 20 vite, duke ulur deri në 70% kamatëvonesat. Kushti për të arritur këtë skemë është që abonenti të mos ketë detyrime të reja të vitit 2024-2025”, sqaroi Karakaçi.
Thuajse çdo vit kompania ofron skema lehtësuese për abonentët. Por a kanë ato rezultat?
“Vitin që shkoi ne arritëm të lidhnim 7 mijë aktmarrëveshje me klientë familjarë dhe biznese. Ka një reagim pozitiv të qytetarëve dhe për herë të parë detyrimet e papaguara në vitin që lamë pas u ulën. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që nga ky muaj të përfitojnë nga skemat e pagesave me këste”, tha Karakaçi.