Autoritetet gjermane të drejtësisë, në bashkëpunim me SPAK-un, kanë ndërmarrë një aksion për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të Visar Miftarit (44-vjeçar) i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Si rezultat, në bregdetin e Palasës janë sekuestruar një vilë luksoze dhe një automjet i tipit “Lamborghini Aventador”.
Vendimi për sekuestrimin e pasurive është marrë nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, pas dyshimeve të forta se ato janë përfituar nga aktivitet kriminal.
Hetimet në Shqipëri nisën në mars të këtij viti, pas një kërkese zyrtare nga autoritetet gjermane. Në momentin e nisjes së procedurave, Miftari ndodhej i ndaluar në një burg në Frankfurt, nën akuzën e përfshirjes në trafik të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë dhe kanabis, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, përgjatë një periudhe pesëvjeçare.
Gjykata gjermane ka vlerësuar se ai ka përfituar rreth 11.2 milionë euro nga ky aktivitet. SPAK zbuloi se në vitin 2022, Miftari kishte blerë një vilë dykatëshe me sipërfaqe ndërtimi 72 m² dhe një truall prej 362 m² në një kompleks të njohur në Palasë, për një shumë prej 260 mijë eurosh. Pagesa ishte kryer përmes një transferte bankare nga Gjermania në Shqipëri.
Në informacionin e dërguar nga pala gjermane për SPAK është cituar se tek vila në Palasë ndodhet një automjet Lamborgini Aventador, si modeli në këtë foto, që i përket shtetasit Visar Miftari. Duke arsyetuar se të dy pasuritë dyshohet se janë krijuar nga aktivitetit kriminal i 44-vjeçarit në shtetin gjerman, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për vendosjen e tyre nën masën e “sekuestros preventive”.
Në të njëjtin vendim, përveç ngrirjes së dy pasurive, GJKKO ia ngarkoi Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara administrimin dhe përdorimin e tyre.