Është gjetur pas 24-orësh 11-vjeçari që kishte humbur kontaktet me familjarët.
Ai u gjet në Portin e Durrësit, ndërsa ende nuk dihet si kishte shkuar deri atje.
Sipas informacioneve, i mituri u largua nga shtëpia për në shkollë pas një debate me nënë e tij, mirëpo nuk u paraqit në shkollë.
Ai jetonte me të ëmën në zonën e Freskut, Tiranë, pasi prindërit ishin divorcuar.
Sipas burimeve paraprake, 11-vjeçari, Dritan Dema, kishte pasur një debat me nënën e tij një ditë më parë. Ai u pa për herë të fundit pranë shkollës “Androkli Kostallari”, por nuk është paraqitur në orët e mësimit.
Pas shqetësimit për mungesën e tij, nëna ka bërë denoncim në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, duke dorëzuar edhe foton e djalit për t’i ndihmuar në gjetjen e tij. Falë ndërhyrjes së shpejtë të autoriteteve, i mituri është lokalizuar dhe kthyer pranë familjes.







