Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër reformë të thellë në shërbimet publike, duke i hequr bashkive kompetencat për shpërndarjen e ujit të pijshëm.
Në një takim me drejtuesit politikë të Tiranës, deputetët dhe drejtorët e bashkive, Rama tha se do të krijohet një operator kombëtar i ngjashëm me OSHEE-në për të menaxhuar ujin në mënyrë qendrore dhe më efikase.
Gjatë mbledhjes, Rama theksoi se reformat që po ndërmerren synojnë një organizim të ri të shërbimeve, duke filluar me Tiranën si model.
“Tani kemi lënë disa detyra për Tiranën që shtohen përditë dhe kanë të bëjnë me shërbimet. Kemi ngritur punët për të bërë një reformë të re organizative dhe për një reformë në shërbime. Dua të vë theksin te shërbimi me ujin, ku duhet të kalojmë te një fazë tjetër, ku do të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit siç është bërë OSHEE, ku të adresojmë investimet, donatorët, me gjithë ato që janë për momentin ‘lesh e li’.”-tha Rama.
Sipas tij, është e kotë të priten rezultate pozitive nga modeli aktual dhe është koha që uji dhe mbetjet të trajtohen në një nivel kombëtar.
“Mbas 30 vitesh është e kotë të presim rezultate nga kjo mënyrë. Nuk mund të rrimë të presim. Qoftë për ujin dhe për trajtimin e mbetjeve duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe të krijojmë sinergji me ndërmarrje kombëtare më të larta.”-vijoi Rama.
Kryeministri shtoi se edhe sistemi i mbetjeve urbane ka ndryshuar ndjeshëm, por ende kërkon konsolidim dhe organizim më të centralizuar.
“Kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve që është shumë ndryshe nga ajo që ishte, por do duhet të konsolidohet dhe të trajtohet si një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.”-tha Rama.