Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të martën ta dënojë një të mitur me burgim për të miturit në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, muaj më parë në Ferizaj.
Rreshteri Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, në jug të Kosovës, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.
Prokuroria Themelore në Ferizaj tha në një komunikatë se i dyshuari i mitur vrau Likën “në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, me dashje dhe përgatitje paraprake”.
I mituri, i cili akuzohet për vrasje të rëndë, vazhdon të mbahet në paraburgim nga dita e arrestimit më 21 prill, tha Prokuroria.
Prokuroria e Ferizajt tha se i mituri dyshohet se, në bashkëpunim me pesë të dyshuar të tjerë, e kishte përcjellë Likën pasi ai e kishte përfunduar orarin e detyrës zyrtare deri brenda hyrjes së banesës së tij, ku kishte shtënë katër herë në drejtim të tij me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm brenda një kohe prej rreth 47 sekondash.
“Si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri M.L., ndërron jetë, siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”, thuhet në njoftim.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, gjykata mund të shqiptojë dënimin me burgim për të mitur ndaj kryerësit të mitur i cili e ka arritur moshën 16-vjeçare dhe ka kryer vepër penale të dënueshme me mbi pesë vjet burgim.
Burgimi për të mitur nuk mund të shqiptohet në kohëzgjatje më pak se gjashtë muaj as më shume se pesë vjet dhe shqiptohet në muaj dhe vite të plota. Maksimumi i burgimit për të mitur është 10 vjet për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim afatgjatë, sipas këtij Kodi.
Gjashtë të dyshuar u dërguan në paraburgim në fund të prillit në lidhje me vrasjen e rreshterit.
Prokuroria nuk tregoi se cilat ishin motivet e vrasjes, por më herët, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, kishin thënë se dyshimet e para ishin se motivet e vrasjes kishin të bënin me punën e rreshterit si zyrtar policor.