Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër përmes një videoje në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar në Theth, ku qeveria ka ndërmarrë një aksion për largimin e disa bizneseve dhe banesave. Sipas Tabakut, kjo është vjedhja e radhës e qeverisë Rama ndaj qytetarëve të ndershëm të veriut.
“Biznese dhe prona që prej 25–30 vitesh kanë qenë aktive në Theth, po grabiten për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja nga oligarkët, klientët e radhës, madje edhe grupet kriminale,” – u shpreh ajo.
Duke e cilësuar “Paketën e Maleve” si një ligj të pastër antikushtetues, Tabaku paralajmëroi se kjo nismë nuk do të sjellë zgjidhje për çështjen e pronës në veri të vendit, por përkundrazi do të përkeqësojë situatën, duke prodhuar konflikte dhe duke i dhënë investitorëve të përzgjedhur toka publike dhe shtetërore në mënyrë arbitrare.
“Pse disa u legalizuan e disa jo? Pse disa janë të nënës dhe disa të njerkës? Përgjigjja është një: Paketa e Maleve është një paketë vjedhjeje,” – deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi se modeli që po ndodh sot në Theth është i njëjtë me atë që ndodhi në jug të Shqipërisë, nga Butrinti deri në Manastir, ku prona publike dhe shtetërore u kthyen në pronë private e oligarkëve.
“Konflikti që po ndodh sot në Theth është pasojë direkte e kësaj politike klienteliste dhe grabitqare,” – përfundoi Tabaku.