Natën e 8 korrikut, teksa Renis Dobra, 23-vjeçari nga Mati po i afrohej shtëpisë së tij në fshatin Zenisht, ai u ndalua nga një automjet ku ndodheshin dy persona të veshur me rroba policie.
Klodiana Lala ka zbuluar me detaje se çfarë ndodhi në orët e vona të së martës 8 korrik, bazuar në dëshmitë e personave që qëlluan rastësisht pranë vendit ku ndodhi rrëmbimi i 23-vjeçarit, bazuar në pamjet filmike të nxjerra nga kamerat e sigurisë në rrugën Burrel-Tiranë, të cilat janë administruar nga policia.
Por kushëriri i viktimës Renis Dobra, tha se ai nuk mundi të shquajë në atë errësirë targat e automjetit të ndaluar në rrugë. Po kështu as portretet e personave që e urdhëruan të largohej nga aty.
“Unë nuk arrita të dalloja dot as targën dhe as fytyrat e personave, sepse kishin ndezur dritat e gjata. Pasi telefonova dhe mora dajën te shtëpia e tij, shkuam te policia që të interesoheshim.
Sipas dëshmisë së dhënë nga babai i Renis Dobrës atë mbrëmje ai e priste të birin në familje.
Pasi kishin një darkë familjare dhe po sipas tij rreth orës 21.30, i biri i kishte dërguar një mesazh që po vinte në familje.
Edhe pse është e paqartë se nga po vinte Renisi ndërkohë, apo cili ishte drejtimi që kishte marrë.
Ajo që mesa kuptohet tashmë është se autorët kishin informacion të saktë, për faktin që Renis Dobra, atë mbrëmje, po kthehej në familjen e tij në fshatin Zenisht të Burrelit.
Për këtë arsye njëra nga makinat e ka pritur në rrugën Burrel-Tiranë. Dhe pasi e kanë hipur në automjetin e tyre, me siguri në pjesën e pasme të sediljes, automjetin e Renisit mendohet ta ketë udhëhequr një nga personat e pranishëm, pjesë e togës kriminale,
Kjo deri në një pjesë të segmentit, ku më pas trupin e Renisit e kanë marrë dhe e kanë futur në automjetin e tij, të cilin më pas e kanë hedhur në Liqenin e Shkopetit, aty ku edhe u gjet, disa orë më pas.
Në dyshimet e forta se fillimisht ishte qëlluar me plumb, por më pas në mendimin se ishte mbytur nga ushtrimi i një force njerëzore, kjo për shkak të shenjave të gjetura në trupin e tij dhe sidomos në zonën e qafës.
“Vendi ku mendohet se është rrëmbyer 23 vjeçari Renis Dobra, ndodhet vetëm 5 minuta larg banesës së viktimës. Dyshimet e para janë se autorët e kanë mbytur të riun me litar dhe më pas e kanë futur në makinën e tij tip Benz dhe më tej e kanë hedhur në liqenin e Shkopetit.
Por gjatë rrokullisjes së automjetit, trupi i pajetë i Renis Dobrës ka dalë nga makina, ku ka pësuar dëmtime të tjera në kokë dhe në trup”, thuhet në dosjen hetimore.