Trupi gjykues i Themelores së Dhomave të Specializuara e rrëzoi parashtrimin e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit për t’i hequr nga aktakuza të gjitha incidentet që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin. Smith tha po ashtu se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja.
Në Gjykatën Speciale në Hagë sot pritet të bëhet publik vendimi lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës.
12 qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave. Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati kohë të përgjigjet deri më 7 korrik.
Vendimi për mocionin pritet ta përcaktojë edhe rrjedhën e vazhdimit të këtij procesi gjyqësor.
Mbrojtja e ish-eprorëve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.
Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.