Ballina Kulturë “Kohë pa etos”, thirrje për moral dhe përgjegjësi në politikë

“Kohë pa etos”, thirrje për moral dhe përgjegjësi në politikë

102
0

Nga profesor i fizikës në një autor tejet të rëndësishëm për politikën e tanishme në vend, Besim Baraliu vjen me librin “Kohë pa etos”, një vepër që mbështetet në mendësinë dhe filozofinë politike të Adem Demaçit.

Libri trajton, përmes 21 përshtatjeve dhe reflektimeve, dukuri që autori i konsideron si shenja të një kohe pa etos, një realitet ku, sipas tij, mungon morali dhe përgjegjësia politike.

Në një rrëfim për KosovaPress, autori theksoi se libri i dedikohet Demaçit me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, duke sqaruar qartë frymën e veprës.

Sipas tij, harresa është një ndër të metat më të mëdha të shoqërisë sonë, ku po harrohen vlerat, vetëm për të zgjatur pushtetin.

Në këtë libër kërkohet që të ndryshohet kjo kohë, në të cilën është vendi, të ketë moral në politikë dhe përgjegjësi.

Baraliu: Kërkohet që të ndryshohet kjo kohë, kërkohet që të ketë moral në politikë

“Kjo i dedikohet Demaçit për nder të ditëlindjes së 90-të të tij, por këto janë vetëm refleksione politike nën dritën e mendimit të Adem Demaçit.. 00:56 Ky është njëfarë rebelimi i mendimit, duke parë ngjarjet, të cilat po zhvillohen sot, të metat e shoqërisë sonë. Edhe i jam drejtuar disa temave, të cilat i shpjegojnë këto refleksione të disa ndodhive, si harresa, që është ndër të metat më të mëdha të shoqërisë sonë sot, se harrohen vlerat, kanë ardhur në skenë pseudo-vlerat vetëm për të zgjatur pushtetin dhe thjesht bëjnë që po bëjnë diçka e s’bëjnë asgjë. Dhe këto, janë komplet vetëm refleksione politike. Ky libër quhet “Koha pa etos”, gjë që do të thotë se është një kohë pa moral politik, pa përgjegjësi politike, kështu që kërkohet që të ndryshohet kjo kohë, kërkohet që të ketë moral në politikë, përgjegjësi në politikë e tjera”, tha Baraliu.

Ai synon të trazojë mendimin kritik dhe të sfidojë qasjen aktuale ndaj zhvillimeve shoqërore e politike në vend.

Baraliu: Ky nuk është libër të qetësojë dikë, por libër të trazojë mendimin

“Ky nuk është libër për me qetësua dikë, por libër me trazua faktikisht mendimin për me kontribua për shprehjen e realitetit të ditëve të sotme edhe për një propozim për të ardhmen, për një etos të ri… 13:05 Mësimi i tij është që ta ruani lirinë dhe mos të lejojmë që në hapësirën të plasohen vetëm të pavërteta, por të luftoni edhe ta plasoni të vërtetën. Domethënë, qëllimi i këtij libri është që në hapësirën tonë ta plasojmë të vërtetën, të shpjegojmë se jetojmë me një kohë pa etos, pa moral, pa përgjegjësi politike dhe të luftojmë që ta bëjmë një kohë me një etos të ri, me një politikë me moral”, shtoi ai.

Ndërsa, redaktori i librit, Arben Veselaj, e sheh veprën si vazhdimësi të frymës së brezit liribërës dhe shtetndërtues, të cilit i përket edhe vetë autori.

Veselaj: Autori në këtë libër ka identifikuar disa dukuri që ai i quan të pa etos

“Besim Baraliu është njëri prej dishepujve të Adem Demaçit, është njëri prej nxënësve të Demaçit, i cili tek ai që autori e quan brezi liribërës dhe shtetndërtues, ka arritur të mbjellë një bindje se ky brez që i ka hyrë rrugës për lirinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, duhet ta ketë koherencën e vet, duhet ta ketë vazhdimësinë dhe të mos lodhet në asnjë moment të etapës së zhvillimeve historike. Në vitet e pas lirisë dhe pas pavarësisë, autori në këtë libër ka identifikuar disa dukuri që ai i quan të pa etos, që i shkelin pikërisht këto vlera, këto standarde që ky brez liribërës i ka ndërtuar me mund të jashtëzakonshëm, me sakrifica të mëdha. Dhe me një farë forme, përmes këtyre 21 përshtatjeve që i ka shkruar, bën thirrje që të mbrohen, ka një rast kur autori thotë: sot institucionet e lirisë sulmohen nga zyrat qeveritare. Ky, është sipas autorit, një zhgënjim i jashtëzakonshëm për brezin që e ka krijuar lirinë dhe pavarësinë”, tha Veselaj.

Sipas tij, libri është një thirrje e drejtpërdrejtë për klasën politike aktuale, duke ngritur shqetësime për narrativat që, sipas autorit, deformojnë realitetin e pasluftës dhe pas pavarësisë.

Ky libër, është një porosi si e Demaçit, për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë.

Veselaj: Kisha preferuar që ta lexojnë kjo klasë e sotme politike, që ka ndërtuar narrativa mashtruese

“Unë kisha preferuar që ta lexojnë sidomos kjo klasë e sotme politike, që ka ndërtuar narrativa mashtruese. Autori ndihet i tmerruar kur dëgjon të tjerët që thonë këto 25-26 vjet, gjithçka u shkatërrua… Ky libër bën thirrje që të mbrohen këto dy fondamente të kësaj lufte, kësaj sakrifice, pjesë e të cilës domethënë është autori Besim Baraliu, me një veprimtari pothuajse gjysmë shekullore, që kur ka qenë gjimnazist. Dhe duke e ruajtur këtë koherencë, duke e ruajtur vazhdimësinë, si porosi e Adem Demaçit”, shtoi Veseli.

“Kohë pa etos” nuk është thjesht një përmbledhje refleksionesh politike, por një apel për rikthimin e moralit dhe përgjegjësisë në jetën publike. Përmes frymës së Demaçit, autori synon të nxisë debat, vetëdijesim dhe një qasje të re politike që do ta kthente etosin në themel të veprimit institucional.