Ballina Opinion Tirana sot: Shkul çadra e ngul beton!

Tirana sot: Shkul çadra e ngul beton!

12
0

Dje postova një shkrim për skandalin urbanistik të Milanos i cili i ngjan, ndonëse në përmasa shumë herë më të vogla masakrës urbanistike që ka ndodhur në Tiranë. Shkrimi mori pak reagime. Më pak se sharësit e mi në rrjetet sociale ngase isha kundër “aksionit” për çlirimin e hapësirave publike. Unë jam kundër zaptimit dhe pro çlirimit, por jo kudo dhe jo për çdo hapësirë. Fjala vjen, spastrimet tek Stadiumi Arena janë qesharake dhe të dëmshme për biznesin dhe jetën komunitare.
Në Tiranë, hapësirat publike dhe gjelbërimin nuk e vranë pronaret e lokaleve dhe tendat, çadrat apo konstruksionet e lëvizshme të vendosura për të mbrojtur kafexhinjtë nga era, shiu dhe dielli. Tiranën e shkatërroi Edi Rama qëe drejtoi për 11 vite si kryebashkiak, nga 2000 deri 2011, (po i heqim 4 vitet e Bashes, që fjeti, siç u vjen mbarë rilindasve të thonë) dhe 9 vitet e Erion Veliajt me miliona metra katrorë ndërtime në vit. Dërrmën e fundit, kryeqytetit po jep perseri Edi Rama si lider i plotfuqishëm i gjithçkaje. Veçanërisht i KKUT-së që po miraton kulla shumëkatëshe duke shpërfillur çdo ligj dhe plan urbanistik, (Tirana e ka planin urbanistik të miratuar që në 14.4.2017.)
Njerëzit, duhet ta dinë se urbanistika nuk është vetëm projektim rrugësh, trotuaresh apo një grushtrregullash ndërtimi. Urbanistika është arti i krijimit të hapësirave që i shërbejnë njeriut. Një qytet i mirë nuk matet me numrin e gradaçelave por me gjallërinë e rrugëve, me zërin e njerëzve që e mbushin atë. Një qytet është i gjallë kur trotuaret janë plot jetë, kur njerëzit ndihen të mirëpritur, kur takimet dhe bisedat ndodhin natyrshëm në hapësirën publike.
Por çfarë po ndodh sot në Tiranë? Pas aksioneve për “çlirimin e hapësirave publike”, shumë rrugë dhe trotuare janë bosh. Atmosfera ngjan kryekëput me periudhën e pandemisë: heshtje, zbrazëti, mungesë e ritmit të jetës. Dikur, zona përreth stadiumit “Air Albania” ishte një pikë takimi, një vend ku njerëzit pinin kafe, bënin shëtitje dhe i jepnin energji gjithë qytetit, ku fëmijët luanin. Sot, ajo hapësirë ka mbetur e shkrete, një skenë pa spektatorë. Pa folur për kostot për bizneset që paguajnë taksa dhe qira. Edhe më të larta se zonat e tjera të kryeqytetit. Pyetja lind natyrshëm: A është kjo gjë e mirë për qytetin dhe njerëzit e tij?
Historia urbane na mëson të kundërtën. Qytetet më të suksesshme janë ato që i japin hapësirë njeriut, jo zbrazëtisë.

Në vitet ’60, Kopenhageni dominohej nga trafiku i rënduar dhe trotuaret ishin bosh. Autoritetet vendosën të mbyllnin disa rrugë për makinat dhe të krijonin zona pedonale, si rruga e famshme “Strøget”. Rezultati? Rrugët u mbushën me jetë, kafene, artistë rruge dhe aktivitete sociale. Arkitekti Jan Gehl tha dikur: “Ne formojmë qytetet dhe pastaj ato na formojnë ne.”
Barcelona krijoi “superblloqe” ku rrugët u mbyllën për makinat dhe u hapën për njerëzit. Fillimisht pati kundërshtime, por më pas ato u kthyen në hapësira plot jetë, me lojëra, aktivitete, tregje dhe evente kulturore. Sot, banorët e El Poblenou e quajnë këtë model shembull të një qyteti që i përket njerëzve.

Deri në vitin 2009, Times Square ishte një nga zonat më kaotike për shkak të trafikut. Një vendim radikal e mbylli për makinat dhe e shndërroi në një hapësirë publike me stola dhe evente. Rezultati? Sot është simbol i jetës urbane ku miliona njerëz takohen, shëtisin dhe shijojnë qytetin.
Bogotaja ne Kolumbi konsiderohet si eksperimenti më i suksesshëm i transforminit të një qyteti. Veçanërisht për krijinin e hapësirave të gjelbra. Bogotaja çdo të dielë mbyll mbi 100 km rrugë për makinat dhe i hap për njerëzit, biçikletat dhe aktivitetet sportive. Atmosfera i ngjan një festë të madhe, duke treguar se njerëzit duan hapësira për të jetuar, biseduar e takuar dhe jo vetëm për të kaluar.

Këta shembuj tregojnë një të vërtetë universale: kur i jep qytetit hapësira të gjalla për njerëzit, ai lulëzon; kur i zhvesh nga jeta, ai vdes. Urbanistika nuk duhet të jetë sterile, e ftohtë dhe teknike. Ajo duhet të jetë njerëzore. Një trotuar bosh mund të duket i rregullt, por është emocionalisht i vdekur. Një qytet pa njerëz është vetëm një koleksion betoni. E tillë më duket se është shndërruar Tirana sot.

Prandaj pyetja shtrohet: A duam një qytet me trotuare bosh apo një qytet që merr frymë e gjallon? Siç e tregojnë Kopenhageni, Barcelona, New Yorku dhe Bogotaja, përgjigjja është e thjeshtë: hapësirat duhet t’u përkasin njerëzve. Dhe t’u kthehen atyre. Nëse nuk merret parasysh faktori “njeri” çdo ndërhyrje është e kotë. Nuk e them unë këtë. E thonë urbanistët më të mirë në botë. E do të duhej ta thonin edhe urbanistët tanë, të cilët, me dy-tri përjashtime, për shkak të interesave të vogla e të mëdha heshtin. Turpshëm! Duke parë si shkatërrohet Tirana. Si betonizohet pa mëshirë në çdo hapësirë. Nëse çadrat shkulen, betoni i kullave është i përjetshëm.
Nëse synimi është të krijohen qytete për njerëzit, atëherë politika urbane duhet të matet me pyetjen: a janë rrugët më të gjalla pas ndërhyrjes, apo më të heshtura? Tirana sot, në shumë zona, po jep një përgjigje shqetësuese.