Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja në “Ditarin e fundjavës” me Erjon Dushin në A2 CNN, e ka cilësuar të gabuar reformën territoriale të vitit 2015 dhe është shprehur i gatshëm për të diskutuar një reformë të re me qeverisjen qendrore. Qosja madje shprehu shqetësimin se bashkia që ai drejton është dëmtuar më së shumti nga ndarja territoriale, pasi zona të shumta të saj i kaluan bashkisë së Rrogozhinës.
“Reforma administrative është një gabim. Asnjë fshat i Rrogozhinë, pa i hyrë në hak fare Rrogozhinës me gjithë respektin, nuk ka lidhje me të. Po ti thuash dikujt nga Kryevidhi, nga Lekaj, nga Gërrmani, apo nga Gosa nga je, ai do të thotë jam nga Kavaja. Por ai e vendosi… Mirë këtë, por ka bërë edhe një gabim tjetër qeveria në vitin 2019, që ia ka marrë një pjesë të territorit, sepse kjo është me vendim të Parlamentit, ka logjikë. Bëri që territori të ndahej ashtu si e deshi ai. Ok me 3/5 e Parlamentit, 90 vota sa i bie. Unë jam i gatshëm. Ia kam thënë edhe kryeministrit këtë gjë dhe ai është i gatshëm ta bëjë. Jo për pjesën e Kavajës, por të territorit….Gjatë periudhës 2018, 2-3 vjet mbrapa ai i ka marrë territor Kavajës, 1 km gati që ia ka caktuar Durrësit. Që është pronë e bashkisë së Kavajës, për të cilën unë do të ndjek hapat ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Është territor i bashkisë Kavajë, fshati Kryemlli, Golem, Kavajë. Ndërkohë që e administron Durrësi, të gjitha taksat ia merr Durrësi. Me një përllogaritje të thjeshtë që kemi bërë ne janë 2 miliardë lekë taksa që i merr Durrësi me një vendim qeverie. Kufij që i ka përcaktuar me vendim qeverie, kjo edhe për shkak të mospjesëmarrjeve tona”, tha Qosja