Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta shpallur të pafajshme në çështjen për shpifje të ngritur nga biznesmenia Vilma Nushi, deputetja demokrate Albana Vokshi ka dhënë një deklaratë për mediat para ambienteve të GJKKO, duke e cilësuar këtë një fitore të betejës së saj dhe opozitës për transparencë.
“Është një betejë që unë, PD dhe kolegët e opozitës e kemi bërë prej më shumë se 10 vitesh”, tha Vokshi, duke iu referuar denoncimeve të vazhdueshme për koncesionin e check-up-it në shëndetësi. Ajo theksoi se në gjykatë ka paraqitur dokumentacion zyrtar që vërteton deklaratat e saj, të cilat u cilësuan të mbështetura në fakte.
Sipas saj, Nushi ka reaguar në mënyrë të papërshtatshme gjatë seancës gjyqësore, sidomos kur Vokshi përmendi lidhjet e saj me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama:
“Zonja Nushi në një moment të caktuar nervozohet çuditërisht pasi përmenda faktin që ajo ka qenë sponsore e PS dhe mikeshë e Ramës, një gjë e pranuar publikisht edhe nga vetë kryeministri”, u shpreh Vokshi.
Deputetja shtoi se gjyqtarja e çështjes vendosi përjashtimin e përkohshëm të Nushit nga seanca për shkak të reagimit të saj, ndërsa gjykata vendosi të shpallë të pafajshme Vokshin për të gjitha pretendimet e ngritura.
Sakaq, ajo theksoi se SPAK ka vërtetuar se Nushi është nën hetim në lidhje me koncesionin. “SPAK vërtetoi se Vilma Nushi është nën hetim prej denoncimit tim para 5 viteve”, tha Vokshi.