Ballina Kronika I dënuar në SHBA për përdhunim, arrestohet me kallashnikov në makinë 44-vjeçari

I dënuar në SHBA për përdhunim, arrestohet me kallashnikov në makinë 44-vjeçari

24
0

Një 44-vjeçar, i identifikuar si Eqerem Sorra, është arrestuar nga Policia e Delvinës pasi u kap në flagrancë duke qarkulluar me armë zjarri dhe municion luftarak në automjetin e tij. Operacioni policor, i koduar “Ngarkesa”, u zhvillua në kuadër të kontrolleve intensive në jug të vendit, veçanërisht pas ngjarjeve kriminale në Sarandë.

Sorra, banues në Vlorë, u ndalua në vendin e quajtur “Blerimas”, teksa udhëtonte me një mjet tip “Toyota”. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin. I arrestuari do të përballet me akuzën për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai rezulton i dënuar me 8 vite burg për përdhunimin e një shtetaseje në Kaliforni. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Delvinë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe strukturave të Policisë së Shtetit, si pjesë e planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike të jugut. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.