Ballina Opinion Veliaj dhe ‘nata e thikave të gjata’

Veliaj dhe ‘nata e thikave të gjata’

37
0

Nga Luçiano Boçi

Në histori ka skena që përsëriten, ndonëse me kostume të ndryshme.

Njëra prej tyre është ajo e bashkëpunëtorit të zellshëm, të përkushtuar, të bindur se është “i veçanti” i liderit, por që përfundon ose i flakur, ose i zhytur në heshtje të turpshme, sapo rritet më shumë se sa duhet, sapo nis të besojë se është i pazëvendësueshëm.

Paralelet me Shqipërinë e Hoxhës-Shehut etj, janë të prekshme, por historia na ofron akoma shembuj domethënës.

Në Gjermaninë e viteve ‘30, një figurë e tillë kishte një emër: Ernst Röhm, lideri i SA-së – trupës paramilitare që ndihmoi Hitlerin të shkelmojë sistemin dhe të marrë pushtetin.

Ai ishte krahu i fortë, besniku i vjetër, që për një moment guxoi të mendonte se mund të bëhej më shumë – ndoshta edhe vetë një alternativë.

Por historia e tregoi se Hitleri kishte nevojë për lëpirës, jo për rivalë.

Më 1934, Röhm u ekzekutus në “Natën e Thikave të Gjata”. Jo për fajin e tij të vetëm, por për ambicien që nisi t’i shqetësonte liderit paranojak frikën nga hija që po rritej.

Tirana, 2025…

Figura që zë vendin e Röhm-it në versionin ballkanik është Erion Veliaj – kryetari i bashkisë me G-99-çat e tij që ndihmoi Edi Ramën të betonojë pushtetin në kryeqytet dhe më gjerë.

Ai që ndërtoi një PR të pacipë dhe një “Rilindje urbane” tiranase e ramiste me fasadë gëlqereje mbi themele betoni e korrupsioni.

Një klon politik i krijuar për të qenë pasqyrë e liderit – por që një ditë të bukur iu faneps timonierit si rival.

Dhe këtu nisi thyerja

Fraktura mes dyshes Rama–Veliaj u bë e dukshme:

Rama pa qartë që Veliaj ndërtoi bashkë me betonizimin e Tiranës  një kult personal, një rrjet interesash që filloi ta trazojë ekuilibrin e pushtetit të centralizuar.

Lëvizje e muajve të fundit, disa përplasje që u mbajtën të fshehta të shoqëruara me shmangie në dalje publike ishin sinjale të qarta që vinin nga brenda kampit.

“Lideri suprem” po përgatiste prerjen e krahëve të klonit të vet, para se ai të besonte se mund të fluturonte vetë.

I vetmi që nuk e shihte këtë ishte Veliaj sepse shpresa e tij e madhe ishte vetë Sorosi i vogël.

Po nëse Röhm u vra për t’i bërë qejfin ushtrisë, Veliaj po flijohet për të shpëtuar mitin dhe burgun e liderit, për të larë mëkatet e partisë, për të mbajtur gjallë doktrinën e një pushteti që nuk “toleron”

askënd përveç vetes.

Röhm nuk u ekzekutua nga Hitleri për krimet e tij ndaj hebrejve siç do ta donte dhe opozita aq sa mund të ishte e atëhershme ndaj Führer-it dhe as për devijancën e tij seksuale. Por për shkak të rivalitetit të pushtetit.

Dhe Veliaj nuk po dënohet për “krimet e tij” për inceneratorin, 5D, korrupsionin në tenderime e në betonizimin e Tiranës.  As sepse e denoncoi e demaskoi opozita. Jo!

Kjo në fakt do ishte drejtësi.

As për devijancat e përfolura gjërësisht.

Po dënohet rëndom si te tjerë në histori. Thjesht se lejfenisti më shembullor i Ramës, i cili pa ëndrrën e pushtetit absolut.

Ironia

Ashtu si Röhm, apo Shehu, Xoxe e Balluku edhe Veliaj është produkt i sistemit partiak  e politik që e gllabëron.

Ata që rriten në oborrin e autokratit, janë gjithmonë të destinuar të përfundojnë ose si viktima, ose si vegla.

Një regjim që ushqehet me servilizëm, ambicie dhe cinizëm, i konsumon vetë këta elementë sapo ndjen rrezik.

Cinizmi

Të dy u “ekzekutuan” nga një drejtësi që gati e quanin dhe e mbronin si  hyjnore.

Historia nuk përsëritet kurrë në mënyrë identike, por ritmet dhe motivet janë të njëjta. Ndaj, pyetja është:

A do të kemi pas akuzës ndaj Veliajt e grupit të tij një “natë me thika të gjata” në Rilindje?

Apo do të jetë një “therje” e ngadaltë, me buzëqeshje, siç i ka hije një teatri grotesk me skenografi propagandistike e një që ne traditë partie që ha bijtë e vet?

Në të dyja rastet, fundi është i njëjtë: bashkëpunëtori i zellshëm përfundon viktimë e liderit që nuk fal suksesin e të tjerëve.

Të tjerët në PS i kanë vënë gishtin kokës.

Ata janë me Ramën e pranojnë më me qejf lolon se sa burgun.

Për ta Veliaj është një episod.

Lavdi Rilindjes!