Të shtunën në Strugë, para një auditoriumi të zgjedhur, me miqë e dashamirë të librit, të ardhura nga Tirana, Prishtina, Shkupi e Tetova, u bë promovimi i librit “Populli i pandalur” të autorit Prof.dr. Agim Vinca. Ky libër vjen i ribotuar nga Shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit, pas 33 viteve.
“Ky libër ribotohet pa ndryshime. Janë ndrequr vetëm gabimet e shtypit dhe asgjë tjetër. Ribotimi i këtij libri mund të shërbejë si një rifreskim i kujtesës për rrugën nëpër të cilën kanë kaluar veçanërisht shqiptarët në Maqedoni, për çka kemi shumë nevojë si shoqëri”, nënvizoi prof. Agim Vinca i cili me këtë rast tërhoqi vëmendje e audtoriumit me disa momente që përbënin segmentet më thelbësore të strukturës së librit.
“Ky libër dëshiron të jetë dëshmi e një kohe të pakohë; zë i ndërgjegjes intelektuale dhe i protestës individuale kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës”, nënvizoi Vinca.
Ai vuri në dukje edhe rëndësinë e ribotimit të këtij libri për kohën e tanishme, sepse, sipas autorit janë shumë çështj politike e etnike të shqiptarëv, sidomos në Maqedoni, e që edne nuk janë mbyllur. Prandaj, sipas Vincës, ky libër mund të jetë një vizion dhe rrugëtregues për politkbërjen dhe elitën inelektuale shqiptare.
Për poetin dhe studiuesin Agim Vinca, në mënyrë telegrafike foli Prof.dr. Sherif Bundo, sekretar shkencor i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, kurse Prof. dr. Begzat Baliu gjithashtu në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që ka ky libër në kontekstin aktual. Me të njejtat vlerësime për librin dhe autorin, u paraqit edhe aktori dhe regjizori Mevlan Shanaj, i cili Agim Vincën e quajti poetin më (gjithë)shqiptar.
Botuesi i këtij libri, Emin Azemi në vështrimin e tij përmbledhës vuri në dukje se “Populli i pandalur” është një libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar. Ai është një testament moral, intelektual dhe kombëtar. Është një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë e tyre për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish.
“Në kohën e sotme, kur sfidat kanë marrë forma të tjera – nga globalizimi i pakontrolluar deri te kolonizimi kulturor dhe marginalizimi i heshtur – mesazhi i këtij libri është më i domosdoshëm se kurrë. Ai na kujton se nuk mjafton të mbijetojmë si kolektivitet biologjik, por se duhet të mbijetojmë dhe të zhvillohemi si subjekt politik, kulturor dhe historik. Në këtë kuptim, “Populli i pandalur” është më shumë sesa një libër: është një akt i ndërgjegjes kolektive, një flamur rezistence dhe një thirrje për t’u zgjuar, për të mos harruar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet. Është dëshmi se fjala, kur lind nga ndërgjegjja dhe nga dashuria për të vërtetën, bëhet më e fortë se çdo armë, më e qëndrueshme se çdo pushtet dhe më e pavdekshme se çdo kohë”, nënvizoi Azemi.
Brezi i ri nuk e di sa e rrezikshme ishte që t’i botoje shkrimet si ato që janë përfshirë në këtë libër, tha recensenti i këtij libri, poeti dhe studiuesi Salajdin Saliu, sipas të cilit ky libër që dikur e rrezikonte, sot e nderon profesor Agim Vincën, poetin që jeton për të bukurën dhe intelektualin që jeton për të vërtetën.
“Agim Vinca si poet është lirik, kurse si mendimtar është kritik dhe racional. Ai shkroi për shumë dukuri negative, polemizoi me guxim dhe kulturë me shumë autorë serbë e maqedonas, duke mbrojtur edhe personalitetet më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare nga sulmet e politikës shoviniste. Në librin Populli i pandalur shfaqet një protestë e fuqishme kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës nga një zë i ndërgjegjes intelektuale që nuk pranoi të heshtë”, theksoi Salajdi Saliu.
Atmosferën e këtij eventi kulturor e bëri më interesant edhe deklamimi i disa fragmenteve të librit, nga ana e aktorit Arsim Kaleci, kurse një surprizë-dhuratë për autorin, ishte një pikturë me portretin prof. Agim Vincës.