Qeveria ka shpallur Zonë të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik parkun e magazinave të ndërtuar nga dy kompani private Astral dhe Capital Resources të zotëruara nga biznesmeni, Sokol Kraja. Parku i ndërtuar në zonën e Kasharit konsiston në një kompleks magazinash prej 52.5 mijë metrash katrorë me infrastrukturë dhe llogjistikë për zhvillimin e aktiviteteve të biznesit.
“Me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 52 140 m2, pjesë të zonave kadastrale 2105, 2119, me vendndodhje në Kashar, Tiranë, me emërtimin “TEDA NEXUS PARK TIRANA,” thuhet në vendimin e qeverisë.
Sipas vendimit të qeverisë, veprimtaritë që do të zhvillohen në zonën teknologjike me zhvillues kompanitë Astral dhe Capital Resources të Krajas janë industri automotive, ICT, industri e pajisjeve elektronike apo minerare, farmaceutik, industri agropërpunuese dhe agropodhuese, përpunim dhe magazim mallrash etj.
“Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet,” thuhet në VKM.
Lehtësira fiskale
Shpallja zonë teknologjie dhe e zhvillimit ekonomik ka një sërë përfitimesh fiskale. Sipas ligjit, kompanitë zhvilluese të zonës dhe bizneset, që zhvillojne aktivitetin e tyre brenda saj përjashtohen nga pagesa e 50 përqindëshit të normës së tatimfitimit për 5 vitet e para, nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë.
Parlalelisht zhvilluesi që investon në zonë, brenda 3 viteve nga data e fillimit të punimeve, ose perdoruesit që investon në zonë, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës, i njihen si shpenzime të zbritshme, të periudhës tatimore, 20 për qind e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, për një periudhë 2-vjeçare.
Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohet si furnizim për eksport me shkallë zero, në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe legjislacionit doganor.
Projekti i zhvilluesit përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa ndërtimet e realizuara brenda territorit të zonës përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë pesëvjeçare.
Përvec kësaj, zhvilluesit ose përdoruesit e zonës janë të përjashtuar nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërkohë që bizneseve brenda zonës u njihen 150 për qind e pagave dhe sigurimeve si shpenzime të zbritshme gjatë vitit të parë.
Pikëpyetje për konkurrencën
Zona e Teknologjisë Nexus Park Tirana ka një sipërfaqe prej 5 hektarësh dhe gjendet tek Kthesa e Rinasit.
Ngjitur me Nexus Park Tirana, gjendet dhe disa parqe biznesi me natyrë të ngjashme, mes të cilëve edhe Tirana Industrial Park, është ndërtuar nga kompania Concord e biznesmenit Artan Dulaku. Por Tirana Industrial nuk gëzon statusin e Zonës Teknologjike dhe as lehtësitë fiskale që rrjedhin prej tij.
Ky fakt ngre pikëpyetje mbi konkurrencën dhe barazinë fiskale. Por në një reagim për Kapitalin, kompania zhvilluese Capital Resources thotë se ajo do të sjellë investitorë të huaj, në fushën e teknologjisë dhe nuk prek konkurrencën pasi nuk i lejohet të marrë biznese, që janë aktualisht prezent në Shqipëri.
Në Kashar është edhe një tjetër zonë teknologjike dhe e zhvillimit ekonomik. E quajtur TEDA Kashar ajo ka për zhvillues Bashkinë e Tiranës dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 35 hektarësh. Ndërtimi i kësaj zone ka një kosto totale prej 16 milionë eurosh dhe paratë janë paguar nga buxheti i Bashkisë së Tiranës./ Kapital