Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, vizituan në qelitë e paraburgimit 313 ish-presidentin e vendit, Ilir Metaj. Ballanca dhe Komisioneri dëgjuan nga afër pretendimet e ish-kreut të Shtetit, i cili ka ngritur pretendime lidhur me mënyrën e arrestimit, duke e konsideruar atë si rrëmbim.
Mbi bazën e ankesës është nisur një hetim administrativ nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe gjatë këtyre muajve, që nga tetori i 2024, kur u arrestua kryetari i Partisë së Lirisë, është kërkuar informacion nga Policia e Shtetit lidhur me planin operacional për arrestimin e Ilir Metajt.
Ish-presidenti pretendon se ai u rrëmbye në mënyrë banditeske me urdhër të Edi Ramës, dhe policia u soll në mënyrë barbare, duke mos i bërë me dije as se ndaj tij kishte një urdhër gjykate për ta arrestuar.
Avokatja e Popullit dhe Komisioneri panë nga afër kushtet në të cilat mbahet Ilir Metaj, ndërsa u mor informacion lidhur me masat ndëshkimore ndaj Metajt në qeli, duke e izoluar nga aktiviteti.
Avokati i Popullit pritet të dalë me një raport të detajuar lidhur me pretendimet e ish-presidentit.
Ilir Metaj mbahet i arrestuar me urdhër të SPAK-ut që nga tetori 2024. Ai është marrë i pandehur për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Më datën 4 gusht pritet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme bashkë me avokatin e tij, Kujtim Cakrani, ku do t’i komunikohet mbyllja e hetimeve dhe më pas dosja penale do të dorëzohet në vjeshtë për gjykim.
Javën që lamë pas iu komunikuan akuzat ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit, Fatima Kryemadhit, nënës së deputetes, Ema Çokut, dhe Pirro Xhixhës.