Në mars të këtij viti Edi Rama, ministrja e tij e Turizmit dhe një shpurë e madhe zyrtarësh të qeverisë shqiptare fluturuan në Berlin. Arsyeja ishte pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, ku Shqipërisë i ishte caktuar vendi i nderit.
“11 mln vizitorë që kanë kaluar më aeroport, duke kaluar Beogradin. Për disa vjet tashmë mbetemi në treshen kryesore në Kartën e Organizatës Botërore e të Turizmit, bashkë me Katarin dhe Arabinë Saudite si destinacioni me rritjen më të shpejtë. Ne s’kishim as Kupën e Botës as Mekën, po ti përjashtoja mund të themi që ne jemi të parët, siç ka qenë më herët Gjermani me Kupën e Botës,” deklaroi kryeministri Edi Rama nga Gjermania.
”ITB Berlin 2025” fillon nga Shqipëria! Na shkoftë mbarë dhe qoftë një ogur i mbarë për turizmin e 2025,” ia priti ministrja e Turizmit, nga stenda e Shqipërisë në panairin e Berlinit.
Stenda shqiptare në “ITB Berlin 2025” shquhej për hapësirën gjigante dhe spektaklin e performancave kulturore, muzikës, kuzhinës tradicionale dhe eksperiencave dixhitale. Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit prezantoi me pompozitet të madh ofertën turistike të vendit.
Por ajo që u shit si një vlerësim i madh për suksesin e Shqipërisë në Panairin e Turizmit, nuk ishte falas. Të dhënat e gjurmuara nga Kapitali tregojnë se deri më tani ministria e Turizmit ka paguar mbi 560 milionë lekë ose gati 5.8 milionë euro për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Panairin e Berlinit.
Nga qiratë për stendën, tek arredimet e sallave, darkat gala, por edhe biletat e hotelet për bylykun qeveritar në Berlin, pagesat nga Thesari për Panairin e Turizmit vazhdojnë ende. Ndërsa oguri që shpresonte Kumbaro nga stenda e Berlinit nuk rezultoi dhe aq entuziast.
Këtë vit Shqipëria po përballet me një sezon të vakët turistik, veçanërisht në pjesën e bregdetit, ku mungesa e infrastrukturës, cilësia e shërbimeve dhe çmimet e rritura në qiell duket se kanë rrudhur turistët në plazhet shqiptare. Por ndërkohë 6 milionë euro fluturuan në Berlin. Dhe fatura vazhdon e rritet./Kapitali