Ballina Ekonomia Mblidhet Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të rritet,...

Mblidhet Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të rritet, norma bazë e interesit 2 % nuk ndryshon

23
0

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, duke nxjerrë në pah njëseri zhvillimesh pozitive për ekonominë shqiptare.

Sipas Guvernatorit Gent Sejko, analiza e fundit tregon se pagat në vend kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat e stabilitetit ekonomik dhe financiar janë përmirësuar ndjeshëm.

“Inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta, por ka shënuar një rritje të lehtë gjatë dy muajve të fundit, duke u afruar me objektivin tonë,” – u shpreh z. Sejko.

Po ashtu, kreditimi është rritur, dhe tregjet financiare janë karakterizuar nga stabilitet dhe qetësi.

Banka vlerëson se qasja e qëndrueshme ndaj objektivit ligjor për stabilitetin e çmimeve ka krijuar kushte të favorshme monetare për të ruajtur kontrollin e inflacionit dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

Sipas përditësimit të fundit të projeksioneve të Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë për të ardhmen mbeten pozitive:

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme pranë potencialit.

Inflacioni pritet të rikthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2026.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm, duke mos kërkuar ndryshime të menjëhershme në normat e interesit apo ndërhyrje shtesë në treg.