Ballina Politika ‘Sezoni turistik me 40 % rënie’, Teliti: Qeveria përdor aksionet e shembjeve...

‘Sezoni turistik me 40 % rënie’, Teliti: Qeveria përdor aksionet e shembjeve si justifikim për dështimin

31
0

Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, foli në një intervistë në SYRI TV, për gjendjen e sezonit turistik në Shqipëri, duke deklaruar se të dhënat zyrtare për gjysmën e parë të sezonit tregojnë një rënie me 40% në shitje dhe konsum, krahasuar me një vit më parë.

Sipas tij, kjo është pasojë e mungesës së reformave afatgjata në sektorin e turizmit dhe jo e ndërhyrjeve të fundit të qeverisë për ndërtimet pa leje. Ai thekson se turizmi shqiptar ka dështuar të krijojë një përvojë të qëndrueshme për vizitorët, duke mos i kthyer ata për herë të dytë në vend.

Dorian Teliti: Së pari, duhet t’u themi disa fakte tashmë, pasi edhe shifrat kanë dalë të gjysmës së parë të sezonit turistik. Sezoni turistik këtë vit është 40% më pak në shitje. Pra, produktet e konsumuara dhe ambientet e zëna, sezoni turistik do të prodhojë 40% më pak se viti i kaluar dhe kjo është një këmbanë alarmi e tmerrshme të themi të drejtën.

Në anën tjetër, ndërhyrjet që po bën kryeministri përsa i përket tashmë ndërtimeve pa leje që i kanë lënë po vetë këta të ndërtohen, infrastruktura që u shpikën brenda ditës sikur nuk ekzistonin, prej javësh, prej muajsh, prej vitesh, nën syrin dhe nën bekimin e qeverisjes ashtu dhe vendore që menaxhohet kryesisht nga PS.

Më tepër, kjo pjesa e ndërhyrjeve është përdorur si justifikim, pra që kur njerëzit dhe shqiptarët kur themi: shiko se ky sezon nuk ishte fort i suksesshëm sepse bëri këto ndërhyrje qeveria. Jo! Ky sezon nuk është i suksesshëm për faktin se në Shqipëri, në turizmin shqiptar nuk u ndoqën ato reformat që duhet të ndërmerreshin vite më para kur ne ngritëm këmbanën e alarmit që thamë: Nuk duhet të kënaqemi me të huajt që vijnë në Shqipëri, por duhet të bëjmë çmos që këta ta huaj të kthehen përsëri për herë të dytë në Shqipëri.

Dhe problematika që ka turizmi shqiptar është që, po, vitin e kaluar ishte turizëm me shifra të larta, por fatkeqësisht ajo flluska që u krijua, mbaroi. Aq ishte.