Ballina Opinion Kryeministrin nuk ka kush ta rikujtojë!

Kryeministrin nuk ka kush ta rikujtojë!

30
0

Ka qeverisur Shqipërinë për plot 12 vite. Ka pasur shumicën e bashkive në Shqipëri dhe të uron një ditë të mbarë me pamje të videove ku shkatërrohen kioska në emër të hapësirës publike dhe premton rilindjen urbane drejt Shqipërisë Evropiane në vitin 2030.

Dikush duhet t’ia rikujtojë kryeministrit që është në mandatin e tij të katërt dhe ndërtimet pa leje që kryeministri po prish sot, janë ndërtuar falë qeverisjes së tij dje.

Me këtë qasje kryeministri duket sikur do të japë mesazhin; “Dështova me të të vërtetë gjatë 3 mandateve të qeverisjes, por mandatin e katêrt e kam marrê seriozisht, ndërkohë që kushdo që ka dy fije mend në kokë e di fort mirë se nuk ka një shembull të vetëm në historinë e politikës botërore të një udhëheqësi që të ketë dështuar për 3 mandate qeverisjeje dhe të ketë rezultuar i sukseshëm në mandatin e katërt.

Nga dështimi në dështim shkojnë veç autokratët, por kurrsesi udhëheqësit.

Autokratët mund të shënojnë në ditarin e tyre politik, 12 vite qeverisjeje tê mbushura me skandale korrupsioni në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me shumicën e bashkëpunëtorëve në burg dhe ta quajnë mandatin e katêrt vullnet tê natyrshëm të popullit.

Mandati i katërt i një autokrati është vullnet i natyrshëm i një autokrati dhe një vullnet i sajuar i popullit. Them ” vullnet i sajuar” pasi karakteristika e pangatêrrueshme e një autokrati është të sajojë një realitet dhe një mbështetje popullore që nuk ekziston.
Nëse populli do ta mbështeste kaq shumë autokratin Rama, si ka mundësi që shifra e shqiptarëve të larguar nga Shqipëria gjatë viteve të fundit shenjon kulmin?!

Kryeministri shfaq shkatërrimin e kioskave duke harruar se plehrat kanë përmbytur Shqipërinë dhe digjen në qiell të hapur, falë inceneratorëve imagjinarë që ekzistojnë veçse në letrat e propagandës rilindase.

Kryeministri shfaq shkatërrimin e kioskave duke harruar se zjarrëfikësit nuk kishin mjete për të shuar zjarret në nje Shqipëri që u shkrumbua.

Kryeministri shfaq shkatërrimin e kioskave duke harruar se Drejtoresha e Ekselencës dhe Inovacionit ende nuk ka dhënë një përgjigje se për ç’arsye nxitoi të mbulonte kokën me kapuç dhe të ikte me vrap teksa u kap mat në një zyrë anonime patronazhimi në kërdhizë të Tiranës ditën e zgjedhjeve?!

Post Scriptum- Kryeministri përpiqet të sajojë një Shqipëri që nuk ekziston dhe të përligjë për të katërtēn herë qeverisjen e tij të dështuar.