Nga Arian Galdini
Mbi tryezën shqiptare është vendosur një peshore.
Nuk ka hyrë me zhurmë.
Nuk ka kërkuar duartrokitje.
Nuk ka ardhur të zbukurojë marrëdhënien shqiptaro-amerikane me një tjetër kapitull mirësjelljeje protokollare.
Rri aty për një punë më të ftohtë dhe më të rëndë, për të matur.
Eric Wendt, i emëruari i ri i Shteteve të Bashkuara për Tiranën, nuk zbret në këtë vend si figurë e një karriere që po pushon.
Ai vjen nga një botë ku aleanca nuk është fjalë, por barrë, ku zinxhiri i komandës nuk është ritual, por rend, ku siguria nuk është dekor i politikës, por gjykim i saj.
Shqipëria nuk po merr një njeri për pritje. Shqipëria po ftohet në një matje.
Kjo është fjalia që duhet ruajtur nga gjithë zhurma e ditës.
Jo sepse emrat nuk kanë rëndësi. Kanë.
Por sepse ndonjëherë një emërim thotë më shumë për mënyrën si të lexon aleati sesa për njeriun që vjen.
Dhe kur Uashingtoni zgjedh për Tiranën një profil të formuar në forcat speciale, në NATO, në nyje të sigurisë dhe të vendimit të ftohtë, mesazhi i parë është i qartë, Shqipëria nuk po trajtohet si qoshe e parëndësishme, por as si vend që mund të jetojë pafund me kreditë e djeshme.
Asaj po i vihet përpara pesha e së sotmes.
Shqiptarët bëjnë zakonisht dy gabime të barabarta kur flasin për Amerikën.
Njëri është përkulja.
Tjetri është fodullëku.
Njëri e kthen mirënjohjen në nënshtrim emocional.
Tjetri e kthen dinjitetin në budallallëk provincial.
Asnjëri nuk është i denjë për një komb që i detyrohet Shteteve të Bashkuara jo një iluzion kalimtar, por një pjesë të sigurisë së vet moderne, të vetë mundësisë së vet euro-atlantike dhe të frymëmarrjes së vet historike në çastet më të rrezikshme.
Mirënjohja pa shtyllë është nënshtrim emocional.
Krenaria pa aleancë është budallallëk provincial.
Shqipërisë i duhet një gjë më e vështirë, të mbajë njëkohësisht mirënjohjen dhe shtyllën, aleancën dhe karakterin, respektin dhe peshën e vet.
Kjo është arsyeja pse emërimi i Wendt-it duhet të lexohet jo me gjuhën e oborreve, por me gjuhën e shtetit.
Shqipëria nuk është qendra e botës.
Por nuk është më as ndalesë dekorative në skajin e saj.
Rri në një hark ku Adriatiku, Kosova, Ballkani, korridoret energjetike, lëvizjet e aktorëve rivalë dhe vetë trysnia mbi kufijtë e NATO-s takohen nën të njëjtin qiell të turbullt.
Në një kohë të tillë, një aleat serioz nuk sjell fjongo. Sjell peshore.
Dhe peshorja nuk pyet për emocionet që ke për veten.
Pyet sa mban.
Këtu nis sprova e Edi Ramës.
Jo sepse Amerika po vjen ta rrëzojë.
Jo sepse një ambasador i vetëm e bën ose e zhbën fatin e një pushteti.
Sprova nis sepse ky lloj emërimi nuk mat mjeshtërinë e mbijetesës politike, mat kredibilitetin e shtetit që pushteti ka prodhuar.
Shqipëria hyn në këtë çast me një qeveri të fortë në numra dhe të rënduar në besueshmëri.
Rasti Balluku, përplasja me SPAK-un, tundimi për të zbutur koston institucionale të hetimeve, sinjali se ligji pëlqehet sa kohë nuk prek qendrën e pushtetit, janë gurë të vendosur në njërën anë të peshores. Shumica parlamentare nuk i heq. I rëndon.
Pikërisht këtu drejtësia e re dhe SPAK-u pushojnë së qenuri vetëm mekanizëm juridik dhe bëhen provë strategjike.
Një shtet që kërkon aleancë të fortë dhe nuk pranon drejtësi të fortë po kërkon, në të vërtetë, privilegj, jo partneritet.
Kjo është “loja” që elita shqiptare është munduar për vite të tëra ta mbajë në mjegull.
Shqipëria ka dashur t’i flasë Perëndimit me gjuhën e stabilitetit, duke shpresuar se stabiliteti do të pranonte si çmim deformimin.
Kohë të tilla po mbyllen.
Aleati mund të ketë nevojë për stabilitet.
Por nuk ka interes që stabiliteti të bëhet emri i degradimit institucional.
Peshorja nuk bërtet. Peshorja rri mbi tryezë.
As Sali Berisha nuk duhet ta lexojë këtë çast si rikthim sentimental të një historie të vjetër me Uashingtonin.
Peshorja nuk mat kujtime.
Mat barrë të tanishme.
Ajo nuk hyn në Tiranë për të rregulluar nostalgji tranzicioni, as për të ndarë kredi morale me figurat e lodhura të skenës shqiptare.
Ajo pyet vetëm, kush mban shtet, kush mban aleancë, kush e kupton kufirin midis luftës së brendshme për pushtet dhe përgjegjësisë së jashtme të një vendi anëtar të NATO-s.
Berisha mund të mbetet faktor i madh i politikës së brendshme.
Kjo nuk mjafton për të qenë nyje e qartësisë amerikane.
Në të njëjtën peshore hyjnë edhe të rinjtë.
E reja nuk ka asnjë vlerë në vetvete nëse nuk di të bëhet organizëm shteti.
Revolta pa organizëm është temperaturë.
Temperatura pa shtet është avull.
Një ekran, një studio, një moralizëm i ndershëm, një kritikë e fortë ndaj regjimit, nuk mjaftojnë.
Peshorja pyet më ftohtë, çfarë republike ngre? çfarë institucioni mbron? çfarë drejtësie mban edhe kur ajo të dhemb?
Nuk mjafton të jesh kundër regjimit.
Duhet të dish çfarë rendi vendos në vend të tij kur vjen ora e provës.
Pikërisht këtu Shqipëria ndahet nga vetja e vet.
Sepse problemi ynë më i madh nuk ka qenë kurrë mungesa e fjalës, por mungesa e masës.
Ne dimë të brohorasim.
Dimë të akuzojmë.
Dimë të kërkojmë.
Dimë të mallkojmë.
Më rrallë dimë të mbajmë.
Dhe një shtet matet pikërisht këtu, jo te aftësia për të treguar historinë e vet, por te aftësia për të mos kërkuar përjashtim sa herë që historia e vet vihet në provë.
Në njërën anë të peshores është aleanca.
Në anën tjetër është cilësia e shtetit shqiptar.
Aty nuk hyjnë sloganet.
Nuk hyjnë as britmat antiamerikane që duan të duken të lira, as himnet proamerikane që duan të duken besnike.
Aty hyn vetëm pesha reale e një vendi, drejtësia që mban deri në fund, institucioni që nuk lyp përjashtim, elita që e kupton kufirin e vet, opozita që di të bëhet alternativë dhe jo vetëm temperaturë, shteti që nuk kërkon tek aleati justifikimin e dobësive të veta.
Nderimi më i mirë për Shtetet e Bashkuara nuk bëhet me brohoritje.
Bëhet me shtet.
Nderimi më i mirë për Shqipërinë nuk bëhet me krenari boshe.
Bëhet duke u bërë vend që, kur peshorja amerikane vendoset mbi tryezën e vet, nuk kërkon t’ia shtrembërojë krahun, nuk mallkon masën, nuk ankohet nga drejtësia.
E mban.







