Ballina Ekonomia Pas Diellës, lind “Ylli”, asistenti me Inteligjencë Artificiale i fermerëve shqiptarë

Pas Diellës, lind “Ylli”, asistenti me Inteligjencë Artificiale i fermerëve shqiptarë

53
0

Qeveria shndërroi fillimisht “Diellën”, asistenten virtuale të bazuar në Inteligjencën Artificiale, në ministren e parë virtuale. Ndërsa tani në një sektor kyç të ekonomisë shqiptare, ka lindur “Ylli”. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar, një platformë e bazuar në Inteligjencën Artificiale që synon të sjellë revolucionin digjital edhe në bujqësi.

Në aktivitetin “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030 – Nga Strategjia te Bujqësia Inteligjente”, ministri Salla prezantoi “YLLI”-n si një nga elementët më inovativë të Portalit të Fermerit, platformës së re që synon të bashkojë në një vend të gjitha shërbimet, informacionet dhe aplikimet që i nevojiten fermerëve shqiptarë.

Nëse “Diella” u konceptua fillimisht si një asistente për qytetarët dhe administratën publike, “Ylli” është menduar si ndihmësi personal i çdo fermeri, i aksesueshëm nga telefoni celular dhe i aftë të komunikojë në gjuhën shqipe në kohë reale.

“YLLI” përdor Inteligjencën Artificiale për të dëgjuar, kuptuar dhe kthyer përgjigje të menjëhershme për pyetjet e fermerëve, duke ofruar informacion praktik mbi skemat e mbështetjes, procedurat e aplikimit, praktikat agronomike, tregun dhe zhvillimet më të fundit në sektor.

Sipas ministrit Salla, transformimi digjital nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për bujqësinë shqiptare, e cila përballet me sfida të mëdha si ndryshimet klimatike, kostot e larta të prodhimit, konkurrenca në treg dhe nevoja për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Europian.

Në qendër të projektit qëndron Portali i Fermerit, i cili do të lejojë aplikimin online për skemat mbështetëse, aksesin në informacion agronomik, monitorimin e parcelave dhe marrjen e të dhënave të personalizuara për aktivitetin bujqësor.

Një nga elementët që pritet të ketë ndikimin më të drejtpërdrejtë në treg është publikimi online dhe në kohë reale i çmimeve të pikave të grumbullimit dhe tregjeve bujqësore. Kjo masë synon të rrisë transparencën në zinxhirin e furnizimit dhe t’u japë fermerëve më shumë informacion përpara se të shesin prodhimin e tyre.

Digjitalizimi nuk ndalet vetëm te informacioni. Ministria parashikon që në vitet e ardhshme të zgjerojë përdorimin e sensorëve inteligjentë në parcela, të cilët do të monitorojnë në kohë reale lagështinë, temperaturën, kushtet atmosferike dhe nevojat për vaditje apo plehërim. Kjo do t’u mundësojë fermerëve të marrin vendime më të shpejta dhe më efikase, duke ulur kostot dhe duke rritur rendimentin.

Mesazhi që përcolli ministri ishte i qartë: bujqësia e së ardhmes nuk do të mbështetet vetëm te toka dhe puna fizike, por edhe te të dhënat, teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale. Në këtë kuadër, “Ylli” synon të bëhet ura që lidh fermerin shqiptar me teknologjitë moderne.

Pikërisht për këtë arsye, prezantimi i “Yllit” shihet si hapi i dytë i madh i qeverisë në përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shërbimet publike. Pas “Diellës”, që synon të transformojë marrëdhënien e qytetarëve me administratën, tani “Ylli” synon të transformojë marrëdhënien e fermerit me informacionin, tregun dhe teknologjinë.

Demonstrimi i drejtpërdrejtë i portalit nga fermerja Manjola Hafizi, kultivuese e mjedrës prej më shumë se një dekade, tregoi konkretisht se si një fermer mund të hyjë në platformë, të kërkojë informacion mbi Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026 dhe të marrë përgjigje të menjëhershme në shqip nga asistenti virtual.

Nëse “Diella” u krijua për qytetarët, “Ylli” synon të bëhet shoqëruesi i përditshëm i fermerëve. Sfida tashmë mbetet te zbatimi në terren dhe aftësia për ta kthyer teknologjinë në një mjet real që rrit produktivitetin, të ardhurat dhe konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare. /ekofin.al