Ballina Opinion Kush do të japë përgjigje për zemërimin që po i vë flakën...

Kush do të japë përgjigje për zemërimin që po i vë flakën kryeqytetit?

50
0

Nga Desada Metaj 

Pas disa orësh përplasjesh të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë në Tiranë, në zonën përpara Kryeministrisë janë vendosur edhe efektivë të repartit special RENEA.

Angazhimi i këtij reparti vjen në ditën e pestë të protestave, gjatë së cilës forcat e rendit janë përballur me protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome, ndërsa nga turma janë hedhur gurë, fishekzjarre dhe molotovë.

RENEA, Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur, është një strukturë e specializuar e Policisë së Shtetit, e cila përdoret kryesisht në operacione me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërhyrjet ndaj personave të armatosur, operacionet kundër terrorizmit dhe situatat që kërkojnë aftësi të posaçme taktike.

Ndryshe nga strukturat e ngarkuara me ruajtjen e rendit publik gjatë tubimeve, RENEA nuk ka si detyrë të zakonshme menaxhimin e protestave. Megjithatë, angazhimi i saj mund të lidhet me vlerësime specifike të sigurisë dhe nevoja të veçanta operacionale.

Në rastin e protestës së sotme, nuk është bërë publik një shpjegim zyrtar për arsyet konkrete që çuan në vendosjen e këtij reparti përpara Kryeministrisë, nëse bëhet fjalë për përforcimin e masave të sigurisë apo për zëvendësimin e forcave të tjera policore.

Ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe aktet nënligjore përkatëse përbëjnë kuadrin ligjor për organizimin dhe funksionimin e strukturave policore. Për të përcaktuar bazën konkrete të këtij angazhimi nevojitet njohja e urdhrit operacional dhe e vlerësimit të rrezikut mbi të cilin është marrë vendimi.

Deri tani mbetet e paqartë nëse vendosja e RENEA-s përpara Kryeministrisë përbën një masë parandaluese sigurie apo lidhet me një rrezik të veçantë të identifikuar nga Policia e Shtetit.