Ballina Opinion Me kë je, me ata që rrahin apo me ata që rrihen?

Me kë je, me ata që rrahin apo me ata që rrihen?

87
0

Nga Visar Zhiti 

Thënë troç, me kë je tani, me ata që rrahin apo me ata që rrihen? Kjo është pyetja më alarmante, sipas meje, mes alarmeve dhe sirenave të makinave të shumta të policisë, që shkarkojnë policë në rrugë, po ashtu që hedhin ujë me furi po aq njëlloj mbi protestuesit për t’i shpërndarë, kur uji nuk është gjendur aq menjëherë për të shuar zjarret masive pyjeve apo djegieve tani, pastaj hedhja e bombave me gaz lotsjellës, megjithëse këtë popull e kanë bërë kaq shumë për të qarë sa nuk ka nevojë për ndihmën e asnjë lloj kimie tjetër, ndërkaq mes këtij kaosi eskalionet e egërsuara të protest-shtypësve si bishat që lëshoheshin në arena në rendin skllavo-pronar, me ato shkopinj gome si me një bri tepër, godasin njerëz, kë të shohin, edhe po nuk e patën afër, e kërkojnë, sidomos po të jetë i ri, student, gjimnazist, e shtrijnë për tokë, e godasin ku të mundin, i shkulin çantën nga supi, ia hapin se mos ka lënde plasese, armë dhe, për çudi të tyre,  i gjejnë vetëm libra.

Thënë troç, me kë je tani? Me ata që rrahin apo me ata që rrihen? Dhe befas më ndërmendet që fjala troç mund ta ketë prejardhjen nga fjala tru, sipas gjuhëtarëve, pra folë me tru, je me zjarrmí politike, me interesa vetanake, por si qytetar, si patriot.

Unë jam me ata që rrihen. Dhe ata që rrahin bëjnë gabim të rëndë, kur godasin si vandalë qytetarët e tyre, madje faj dhe krim kur përgjakin studentët, si mund të derdhësh në rrugë gjakun e ardhmërisë? Është e padurueshme dhe e dënueshme. Jo vetëm për teprim të rrezikshem në zbatimin e ligjit dhe të detyrës, etj, po dhe të ligjit moral, të ligjeve njerëzore të pashkruara, në dëmtim të  kujtesës njerëzore, sidomos të kujtesës së të ardhmes, që nuk ta fal kurrë…

Kujtoj çantën tonë të studentit, në diktaturë, në shekullin e kaluar. Nëqoftëse do të na i kontrollonte policia, mes librave do na gjente dhe fletoret me përkthime studentore të poetëve të huaj, ata që mundnim, fshehurazi, në ndonjë libër të dhënë në mirëbesim, revista, një pjesë dhe të ndaluar si emra, ishte d;eshira jonë për botën që na mungonte.

Kujtoj që më i rrezikshme ishte poeti ruso-sovjetik Evgenij Jevtushenko, jo vetëm si revizonist, që kishin tradhtuar marksiz:em-leniznizmin, kupto: stalinizmin, por ai kishte shkruar dhe një poezi kundër Enver Hoxhës.

Vargjet nga ai: në kohën kur rriheshin njerëz, unë isha me ata që rriheshin dhe jo me ata që rrihnin,  më kumbojnë dhe sot dhe i hodha si pyetje.

Me kë jeni, me shkopin e dhunës së policit apo me studentët, me kujtes;en e tyre, çfarë do t’u japim.

PAMJE NGA FËMIJËRIA E SË ARDHMES

…po kthehem prapë te poezia, te Jevtushenko, atë kisha. Është një poezi e tij e shkruar në 1963, “Pamje nga fëmijëria”, ku ai kujton si fëmijë një rrahje të një fëmije tjetër në publik, turmat shkuan për ta parë, por dhe për t;e marr:e pjes:e në rrahje. Kohë e Stalinit. Në njërën nga strofat tregohet:  …Në zemrat e vogla diçka u mblodh, kur pamë se si ngushtohej rrethi i palltove prej lëkure delesh, i gëzofëve, i kapelave, (mbi atë fëmijën, shën. imi) dhe ai me kokën futur mes supeve, nën breshërinë e grushteve, shqelmave, pështymave e shuplakave. Papritur nga e djathta dikush e goditi me hov. Papritur nga e majta ia përplasën ballin… Doli gjaku… E rrihnin me ëndje. Me fantazi. Me afsh. Pashë me sa shkathtësi dhe me sa saktësi ia shtonin goditjet… Çizme (të shtetit, shën. imi) dhe i zoti i tyre – një qenie me turi si të ndershëm, tmerrësisht krenar për parimet e veta – e godiste pareshtur. E godiste me bindjen e sigurt, të patundur se kishte të drejtë, dhe, i djersitur, i skuqur, i gëzuar.

Dhe në strofën e fundit poeti thotë: por unë, një djalosh, qaja nga turpi. Dhe nëse njëqind veta a më shume ishin ata që ulërinin të tërbuar dhe rrihnin dikë – edhe nëse e meritonte! – unë nuk do të bëhem kurrë i njëqind e njëti!

Kritika vërejti se thelbi moral i poezisë së Jevtushenkos nuk është vetëm të mos bëhesh i njëqind e njëti me ata që rrahin, por të bëhesh i dyti, pranë atij që po rrahin.

(Jevtushenko thoshte se, edhe kur nuk i pëlqenin disa poetë apo disidentë, nuk e lejonte kurrë veten të dilte kundër tyre kur fillonin t’i rrihnin. Këtu qëndron thelbi i asaj që kujtoj).

Ka poezi që mbeten në kujtesë jo vetëm për bukurinë e tyre, por edhe për një pyetje morale që nuk pushon së na ndjekuri: ku jemi ne kur përndiqet një tjetër?  Me rrahësit, qofshin dhe shumicë, apo me të rrahurin, qoftë dhe i  vetëm dhe i pambrojtur?

Po kur rrihen studentët në protestën e tyre?  Ky është çasti kur dhuna zbulohet në formën e saj më të rrezikshme: jo si një shpërthim i verbër i së keqes, por si një veprim që justifikohet me votën, me shumicën fiktive, me të drejtën e huimbur, me bindjen se meritojnë të ndëshkojnë. A nuk është pikërisht kjo që ndodh sa herë drejtuesit i japin vetes të drejtën të poshtërojnë, të përjashtojnë apo të shkatërrojnë të madhen, të përbashkëtën, sepse kanë shpallur fajtor përpara se t’i dëgjojnë ata që prishin të zemëruar të voglën, të tyren…

Edhe sikur shumica të besojë se ka të drejtë, kjo nuk e çliron individin nga përgjegjësia për veprimet e veta.

Dhe nuk është e arsyeshme gjithmonë forca e shtetit për ta ndalur ndryshimin. Dhe asaj të mos i shtohet dora jonë, zëri ynë, heshtja, kur është miratuese.

Dhe prova më e vërtetë e qytetarit nuk është se si sillet kur është mes të fuqishmëve, por ku qëndron kur të tjerët ngrihen, qofshin dhe pakë, qoftë dhe një student. Po kur janë të gjithë dhe i mbështet një popull që ndjehet i braktisur, me keq akoma, i tradhtuar? Sepse në fund historia nuk na pyet sa  ishin ata që ushtronin dhunën, por na bën të ndjejmë se ku  ishim ne atëhere, kur rrihej e ardhmja?

ME KË JE, ME QYETARËT APO ME ATA QË S’DUAN NDRYSHIMIN?

Dhuna gjithmonë është e padrejtë. Populli e ndjen kur nuk durohet më. Shqipëria jonë e vogël në këtë shekull të ri u ndje më e lirë, më e pasur, e hapur me botën e përparuar Perëndimore, pjesë e aleancës më të fuqishme NATO-s, n jë komb me dy shtete, edhe Republikën e Kosovës, njohu dëshirat e veta, ca I preku me dorë, ca i largohen si në legjendën e Tantalit, pa dhe afrime të gabuara, djallëzore, zgjime ambicjesh të vjetra si përbindësha. Sërbia nuk i ndahet obsesionit paranajoka që Kosova është djepi i saj. Dhe sa herë ka turbullira në Shqipëri do të gjendet dikush nga qarke të caktuara greke që të përfitojë. K:eto ditë të shqetësuara lexoj që një zv/minister grek vjen në Korçë dhe deklaron se këtu duhet të vijë çdo grek që të shohë rrënjët e hershme(?!). Sharlatanizëm. Ku do t’i shohë rrënjët, kur nuk sheh degët? Çamërinë zhuritur, revolucionin grek me gjak arvanitasish, që sigurisht luftuan për Greqinë, por tër;e ato fshatra përreth Athinës apo n;e Thiva (Teba e dikurshme) që ende flasin shqip dhe s’u njihet asnjë e drejtë gjuhe, etj, etj. Po serbët, që e dinë fare mirë që në Ballkan erdhën nga Uralet aty nga shekulli VI-VII pas Krishtit dhe vendi s’ishte bosh, i papabanuar, që priste ata, por ishte plot me shqiptarët e hershëm, me qytetërin dhe mirëpritjen e tyre. Edhe në kohët më të begata të tyre, ata kurrë nuk kanë qenë ndonjëherë shumicë në Kosovë, e shkruanin dhe studiues jugosllavë, kujtoj një shkrim në “Corriere della Sera” të eseistit dhe shkrimtarit kroat Predrag Matvejeviç. E ç’janë këto vende fqinjë që nuk i gjejnë djepet dhe rrënjët e tyre tek shtëpia e tyre, por tek tjetrit?

Kausi i  tanishëm në Tiranë e në qytete të tjera  nuk i shërben  Shqipërisë dhe përgjegjës është lidershipi politik, paaftësia e shtetit. Protesta është drejtë. Studentët po ndjeheshin pa të ardhme, populli me atdheun që po i lëkundej nën këmbë. Dhe u ngritën sërisht. Më furishëm. Duan që Shqipëria të jetë e tyrja, të begatohet edhe më, por jo të polarizohet, oligarkë të rrezikmshëm e të varfër të nëpërkëmbur, të kenë pronat e tyre, bizneset e tyre, liritë dhe të drejtat, rini me të ardhme, me identitet dhe kulturë, me fqinjësi të mire me Greqinë e Serbinë, malin e Zi e Italinë, me Ballkanin  dhe gjithë Europën, të jenë  në  BE dhe gjithmonë me aleatin e tyre jetik, SHBA, në mbrojtjen e tyre dhe investimet e tyre, me një vetvete në gjendje dhe të fortë. Për këtë duhet të punojnë deputetët e tyre, partia së i cilës i japin shuminën, kryeministri që del prej saj, presidenti që zgjidhet nga parlementi, si kryeqytetar që përfaqëson unitetin kombëtar, Komandantin e forcave të  armatosura të Republikës.

Për fat të keq shqiptarët nuk e dinë kë kanë president, n;e k:eto ditë r;enda e me rrezik ai del nga përgjumja dhe thotë që i pret në zyrë protestuesit (?!). Që t’i vënë flakën dhe zyrës së tij? Ai duhet të dalë nga zyra përballë protestuesve dhe të flasë me ta dhe jo të lërë vetëm policët, shpesh të uritur, q:e dalin nga rradhët e protestuesve dhe u japin shishe me ujë, përqafime apo puthin bashkë Flamurin. Mësoni, o deputetë, nga virtytet e popullit që ju zgjodhi, apo vini nga listat partiake, ju zgjodhi kryetari?

Dhe kryeministri nuk është për t’i rënë defit në fitore, por të zgjidhë krizën siç i duhet vendit e siç ia kërkon populli, qoftë dhe të sakrifikojë veten. Bashkë me presidentin që zgjodhi vetë, të dalë para protestuesve. Nëse ndjehet vetëm, ashtu kërkoi të jetë, i gjithpushtetshëm.

Më mrekullon që protestuesit brohërasin: “Liri shqiptarëve, vdekje tradhtarve!” Kujtesa e thirri nga e kaluara, një parrullë e përdorur gjatë Luftës II Botërore e patriotëve, e Ballit Kombër, e naimjanëve, e thjeshtë, e qartë, aq sa i duhej Shqipërisë, madje dhe me rimë si një distik, për të qenë dhe e bukur. Ata u mundën, pasi u tradhtuan, i di historia shkaqet, por ama fitimtarët nuk paskëshin qenë në anën e duhur të historisë.

ME KË JE, ME SHQIPËRINË APO ME ARMIQTË E SAJ?

Për nuk ka shumë kohë për arsyetime, por për veprim.

Nga poezia kalojmë në një artikullin, të nxjerrë  sot, “Quo Vadis, Shqipëri”, nga gazetari dhe politologu i njohur shqiptaro-amerikan, Dr. Elez Biberaj. Është një  ndihmë emergjente.  Ai “bën një skaner të qartë me një vështrim të kthjellët në një situatë aq të trubullt dhe të trishtueshme për vendin tonë”, një pasqyrë dhe një udhëzuers. ndihmesë. Ai flet si atëhere nga “Zëri i Amerikës”, që paraprinte revoltat studentore dhe të popullit në fillim të viteve ’90, kur kërkohej ndryshimi i madh.

Shqiptarët e Amerikës i janë gjendur atdheut të të parëve me dashuri dhe fuqi, të bashkuar si në një vatër, me zërat e euroamerikanit Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, me atë që u arratis dhe erdhi  nga burgjet e komunizmit në SHBA, Profesor Arshi Pipa, po kështu dhe veprimtari, Profesor Sami Repishti, etj, kryesia e shqiptarëve të Amerikës ka qenë si një qeveri, kur Shqipëria s’kishte shtet, etj, etj.

Në vazhdim, Dr. Elez Biberaj me profesionalizëm dhe kulturë demokratike shkruan, po sjell fundin e shkrimit të tij “Qua v adis, Shqipëri?”:

“Kriza e tanishme e Shqipërisë ka nxjerrë në pah kufijtë e një modeli politik që nuk gëzon më besimin e segmenteve të gjera të shoqërisë. Megjithatë, periudhat e tronditjeve të thella mund të krijojnë edhe mundësi për ripërtëritje. Studentët dhe aktivistët e rinj që kanë dalë në ballë të lëvizjes së tanishme janë trashëgimtarë të aspiratave demokratike që transformuan Shqipërinë më shumë se tri dekada më parë. Kërkesat e tyre për llogaridhënie, përfaqësim dhe mundësi pasqyrojnë vendosmërinë për të ndërtuar një shtet më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, më gjithëpërfshirës dhe më demokratik.

Shqipëria ka dëshmuar vazhdimisht një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përballur dhe për t’u ringritur përballë vështirësive. Përgjegjësia tani bie mbi udhëheqësit e saj politikë që të përgjigjen me vizionin, vetëpërmbajtjen dhe ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare që kërkon ky moment. Nëse ia dalin, trazirat e tanishme mund të kujtohen përfundimisht si pika e kthesës që frymëzoi një brez të ri për të ndihmuar në përmbushjen e aspiratave demokratike të Shqipërisë.”

Shqipëri, dëgjo zërin e së shkuarës, por më shum:e të së ardhmes dhe  vepro. Të duam!