Ballina Kulturë ​Meeting of Styles pushton Prishtinën, marrin pjesë mbi 100 artistë nga e...

​Meeting of Styles pushton Prishtinën, marrin pjesë mbi 100 artistë nga e gjithë bota

0
15

Nga data 8 deri më 10 gusht rrugët e Prishtinës shpërthejnë në ngjyra ndërsa festivali Meeting of Styles sjell edicionin e tij të nëntë që synon promovimin e artit urban.

Si festivali më i madh ndërkombëtar i artit rrugor në vend, Meeting of Styles Kosova këtë vit sjell artistë nga bota për të shndërruar muret publike në murale mahnitëse me temën “Kauza e zgjedhur”, një thirrje për të eksploruar unitetin dhe mënyrën se si zgjedhjet tona të përditshme formojnë botën përreth nesh.

Në kuadër të festivalit janë organizuar aktivitete të ndryshme edukative dhe artistike, përfshirë gara të grafitit për fëmijë, punëtori krijuese dhe program muzikor me performues nga vendi, rajoni dhe bota.

Sipas organizatorëve, festivali jo vetëm që shërben si platformë për shprehjen artistike, por edhe si një hap drejt rritjes së ndërgjegjësimit qytetar dhe kujdesit ndaj hapësirës publike.

Vera Bunjaku, vullnetare e festivalit, tha se aktiviteti është një natë edukative për fëmijët, ku mësojnë për historinë e grafitit. Ajo theksoi se ky është viti i dytë që janë vullnetarë, por që festivali ka nisur para tri vjetësh në rrugën B në kryeqytet.

Bunjaku: Sot kemi aktivitet për historinë rreth grafitit

“Sot kjo është dita e dytë e festivalit Meeting of Styles (MoS) në Kosovë. Aktiviteti që do të mbahet sot është për fëmijë, një natë edukativë dhe arsimore për historinë rreth grafitit… Është viti i dytë që jemi vullnetarë, mirëpo e dimë që edhe para tri vjetësh ka qenë këtu te rruga B,” tha Bunjaku.

Hera Jakupi, vullnetare e festivalit, shpreh shpresën që do të vlerësohet më shumë arti dhe punën që bëjnë artistët për të zbukuruar qytetin. Ajo thekson rëndësinë e kuptimit të artit në jetën e përditshme, duke përfshirë si fëmijët, ashtu edhe të rriturit.

Jakupi: Qytetarët ta vlerësojnë më shumë artin dhe punën e artistëve

“Po shpresojmë që qytetarët të vlerësojnë më shumë artin dhe punën që bëjnë artistit për ta zbukuruar qytetin tonë dhe t’i kuptojmë rëndësinë artit në përditshmëri së bashku me fëmijët dhe të rriturit që ta vlerësojnë më shumë,” tha Jakupi.

Drejtori i festivalit Agon Xhelili theksoi se fokusi kryesor është transformimi i mureve përmes artit të grafitit.

Xhelili: Këtë aktivitet e bëjmë që të tregojmë fuqinë e artit

“Këtu te rruga b është edicioni i nëntë i festivalit. Ky lokacion është edhe vendi ku ka filluar festivali herën e parë më 2017… Kryesisht fokusi i festivalit është transformimi i mureve, ku kanë ardhur mbi 100 artistë nga rreth diku 30 shtete të ndryshme. Dje ishte dita e parë si gjithmonë fillimi është pak më i vështirë, por ia kemi arritur mirë që ta organizojmë… Sot dhe fillojnë aktivitetet të dizajnuara për fëmijë është gara e grafitit që në ora 18:00 fillon në mbrëmje do të këtë edhe program muzikor i cili është zhanër rep, kemi nga Greqia, Kosova, Austria, Australia performues. Programi është gjatë tërë ditës dhe mbas orës 16:00 janë të planifikuara edhe aktivitete tjera. Festivali ndodh në rrugë dhe është i dedikuar për qytetarët. Jemi të fokusuar të marrim reagimin e qytetarëve dhe është i vetmi në Prishtinë, ku çdo aktivitet është i hapur nuk ka asnjë aktivitet me pagesë… Këtë aktivitet e bëjmë të tregojmë fuqinë e artit. Ky festival e ka mesazhin që u jep qytetareve vetëbesim dhe përgjegjësi kur bëhet fjalë për hapësirën publike, por patjetër qëllimi është ta kultivojmë dhe stimulojmë këtë sub-kulturë”, tha Xhelili.

Meeting of Styles është një rrjet ndërkombëtar artistësh dhe mbështetësish të grafiteve, i cili sponsorizon evente krijimi i muraleve me grafite në vende të ndryshme të botës. Ideja lindi në vitin 1995 në Gjermani, dhe u riorganizua nën emrin aktual në vitin 2002.