Vendimi për largimin e televizionit News24 nga ambientet ku ka ushtruar aktivitetin për vite me radhë ka ngjallur reagime të forta.
Gazetari dhe analisti Gjergj Erebara ka ngritur pikëpyetje serioze mbi arsyet që qëndrojnë pas këtij vendimi, duke pyetur pse u zgjodh pikërisht News24 dhe jo ndonjë tjetër nga televizionet që operojnë në ambiente publike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Erebara vë në dukje se gjysma e televizioneve kryesore në vend funksionojnë në godina me të njëjtin status juridik dhe historik, ndërsa kërkon transparencë mbi kriteret e përdorura për këtë zhvendosje.
Postimi i gazetarit Gjergj Erebara:
Çdo vit bëj një analizë të tregut të televizioneve ku përfshihen 12 televizionet kryesore të vendit. Nga këto, gjashtë, (përfshirë News 24) kryejnë aktivitetin kryesor nga mjedise në pronësi publike të marra me qira afatgjatë. Një i shtatë ka punuar deri para pak vitesh gjithashtu nga zyra të marra me qira nga shteti. Nga të pestë që mbeten, katër janë themeluar gjatë viteve të fundit kur ngrehinat e kohës së komunizmit ose janë zënë sakaq më herët ose janë amortizuar aq sa të mos ia vlejë. Kontratat e qirasë janë firmosur nga fillimi i viteve 2000 nga ministra socialistë.
Katët nga televizionet punojnë nga mjediset e ish-Kinostudios. Një punoi për shumë vite nga aty pastaj së fundmi u zhvendos në një mjedis tjetër, gjithashtu publik.
Tani dikush duhet të na shpjegojë se me çfarë metodologjie shkencore grupi i punës caktoi se ishin mjediset e News 24 ato që i nevojiten kompanisë Kayo për prodhim municionesh dhe jo, fjala vjen, mjediset e ndonjë prej televizioneve të tjera. Personalisht mendoj se Kayo duhet të dërgohet te ish-Kinostudio sepse maksimumi që do të prodhojë do të jenë ca filma të dobët me partizanë, policë e ushtarë se për armë e municione, këto është mirë t’ia besojmë aleatëve.