Ballina Politika PD: Stefano Boeri nën hetim në Itali, i paprekshëm në Shqipërinë e...

PD: Stefano Boeri nën hetim në Itali, i paprekshëm në Shqipërinë e Edi Ramës. Tirana 2030, projekti i pabarazisë dhe klientelizmit

47
0

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për media u shpreh se arkitekti italian Stefano Boeri, i njohur si mik personal i Kryeministrit Edi Rama dhe me biznes të zyrtarizuar në zemër të Bllokut në Tiranë, është aktualisht nën hetim në Itali për afera korruptive të lidhura me “zgjerim të pakontrolluar ndërtimi”.

Sipas Vangjelit, përfshirja e Boerit në projekte madhore urbane në Shqipëri nuk bazohet në nevojat reale të komunitetit, por në interesa të ngushta klienteliste të pushtetit, duke anashkaluar konsultimin publik dhe duke shpërfillur identitetin historik të qytetit.

Ajo theksoi se Tirana përballet me mungesë të theksuar të hapësirave publike, gjelbërimit, transportit publik dhe shërbimeve bazë për qytetarët, ndërkohë që projektet e propozuara nga Boeri shërbejnë kryesisht për të zbukuruar fasadën e një pushteti të korruptuar dhe për të favorizuar grupe të caktuara ekonomike.

Deklarata e plotë:

Arkitekti italian Stefano Boeri, miku personal i Kryeministrit Edi Rama, me biznes të zyrtarizuar në zemër të Bllokut në Tiranë, aktualisht është nën hetim në Itali për afera korruptive të lidhura me ‘zgjerim të pakontrolluar ndërtimi’.

Në Shqipëri, vizioni urban i tij nuk lidhet aspak me nevojat e komunitetit, por me një model zhvillimi të diktuar nga interesat klienteliste të Ramës, duke anashkaluar konsultimin publik dhe pa asnjë ndjeshmëri ndaj identitetit historik të qytetit.

Ndërkohë që Tirana vuan nga mungesa e hapësirave publike, gjelbërimit, transporti publik si dhe shërbime të tjera bazë për qytetarët, Boeri hartoi projekte të cilat shërbejnë  vetëm për zbukurimin e fasadës së një pushteti të korruptuar që nuk ka asnjë lidhje me banorët e thjeshtë.

E konkretisht projektet që mbajnë emrin e tij janë:

‘Vertical Forest Tirana’

‘Tirana Riverside’

‘Tirana 2030’

‘Kubi i Bllokut’

‘Blloku West’

‘Pylli Orbital 030’ , etj …

Të gjitha këto projekte ndajnë të njëjtën filozofi: përfitimi i pushtetit dhe oligarkëve, ndërsa qytetari i thjeshtë mbetet i përjashtuar nga vendimmarrja dhe përfitimi.

Diferenca qëndron në faktin se ndërsa në Itali drejtësia funksionon dhe nga hetimet nuk përjashtohet askush i dyshuar si shkelës i ligjit, në Shqipëri miqtë e KM përjashtohen nga hetimet  pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme nga opozita dhe Partia Demokratike për ndërtime pa kriter, pastrim parash dhe abuzime me planifikimin urban.

Sot, ndërkohë që Stefano Boeri përballet me drejtësinë italiane, qyteti i Tiranës përballet me pasojat e një modeli urban të ndërtuar mbi korrupsion, mungesë transparence dhe marrëveshje klienteliste.

Partia Demokratike insiston në kërkesën e saj për hetim të menjëhershëm të të gjitha këtyre projekteve në Shqipëri dhe sjelljen e të gjithë përgjegjësve përpara drejtësisë.

E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet mbi betonin e pabarazisë, propagandës dhe shpërdorimit të pushtetit.