Ballina Lifestyle Vajza e Joe Biden, Ashley po divorcohet pas 13 vitesh martesë

Vajza e Joe Biden, Ashley po divorcohet pas 13 vitesh martesë

13
0

Ashley Biden, vajza e ish-presidentit amerikan Joe Biden dhe ish-zonjës së parë Jill Biden, raportohet se ka paraqitur kërkesën për divorc nga bashkëshorti i saj, mjeku Howard Krein, pas 13 vitesh martesë, shkruan revista People.

Sipas The Philadelphia Inquirer, të hënën, më 11 gusht, 44-vjeçarja Ashley ka dorëzuar dokumentet për divorc në Gjykatën Bashkiake të Filadelfias.

Po atë ditë, ajo publikoi në Instagram Story një foto të saj duke ecur në park dhe duke bërë shenjën e gishtit të madh lart, ndërsa në sfond dëgjohej kënga Freedom e Beyoncé. Postimi u fshi më pas.

Ashley publikoi gjithashtu një citat ku shkruhej: “Jeta e re, fillimet e reja nënkuptojnë kufij të rinj. Mënyra të reja të të qenit, që nuk do të duken apo tingëllojnë si më parë”.

As Ashley, as Howard nuk kanë komentuar mbi këto raportime.

Çifti u martua më 2 qershor 2012 në Greenville, në një ceremoni ku morën pjesë rreth 200 anëtarë të familjes dhe miq të afërt. Pas martesës, ata u drejtuan në shtëpinë e familjes Biden pranë liqenit në Wilmington, ku u mbajt pritja dhe darka.

Ish-presidenti Biden e shoqëroi personalisht të bijën drejt altarit. “I thosha gjithmonë Ashley-t se duhej të praktikonim ecjen drejt altarit, që të mund ta përballoja emocionalisht,” kishte rrëfyer ai më herët për People.

Ashley dhe Krein filluan lidhjen në vitin 2010, pasi u njohën përmes vëllait të saj të ndjerë, Beau Biden. Ata u fejuan në tetor të vitit 2011, kur Krein i propozoi gjatë një perëndimi dielli në Kaliforni. Joe Biden ka treguar se para propozimit, Krein kishte kërkuar miratimin e tij.