Ballina Ekonomia Vetëm 21 mln euro për mbrojtjen nga zjarret – Instituti: Fondi i...

Vetëm 21 mln euro për mbrojtjen nga zjarret – Instituti: Fondi i pamjaftueshëm, bashkitë pa kapacitete

44
0

Më pak se 9 euro shpenzohet për çdo qytetar të Shqipërisë për ta mbrojtur nga zjarret.

Mes temperaturave ekstreme, që vit pas viti po regjistrojnë rritje, buxheti që ndahet për 61 bashkitë me qëllim kryesor ‘mbrojtjen nga zjarret’, mbetet në shifra ende modeste, e larg nevojave reale.

Këtë vit, në total, për të parandaluar e deri për të shuar flakët, buxheti është 21 milionë euro, me rritje prej 5.6 milionë euro krahasuar me vjet.

Dukshëm kaq para nuk mjaftojnë, përsa kohë edhe pse jemi ende pa arritur në mesin e muajt gusht, janë shkrumbuar mbi 40 mijë hektar pyje e kullota sipas të dhënave nga Sistemi Evropian për Zjarret në Pyje.

Ndërsa në 2024-ën, për të gjithë vitin, totali i sipërfaqeve të djegura ishte 46.6 mijë hektar.

Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së rrezikut nga zjarret, siguria e qytetarëve nuk mund të mbështetet në një buxhet minimal. 21 milionë euro për 61 bashki nuk janë investim, por iluzion i sigurisë. Nevojitet një rritje e ndjeshme e fondeve dhe një strategji kombëtare ku pushteti vendor të ketë rol real dhe burime të mjaftueshme. Nëse i ndajmë 21 milionë euro në mënyrë të barabartë për të gjitha bashkitë, rezulton rreth 344 mijë euro për bashki në vit. Kjo shumë është shumë e kufizuar për të mbuluar domosdoshmërinë për pajisje moderne kundër zjarrit (mjete zjarrfikëse, pompa uji, pajisje mbrojtëse për zjarrfikësit etj infrastrukturë. Mjafton ky fakt për të kuptuar sa kapacitete ka sektori për të përballua situata të tilla, që po bëhen pjesë e jetës për çdo stine”, thotë Instituti për Bashkitë.

 

Bashkitë me buxhetin më të madh në dispozicion për ‘mbrojtjen nga zjarret’ janë Tirana me 275 mijë euro, Durrësi 94.5 mijë euro, Kukësi me 75.3 mijë euro, më pas është Elbasani me 70 mijë e Shkodra me 67.3 mijë euro.

Por ka bashki të cilat duhet të shuajnë zjarret me vetëm 19 mijë euro në dispozicion siç janë Divjaka, Rrogozhina, Vau i Dejës apo Vora.

Qarku i Vlorës prej javësh është nën flakë në zona të caktuara, siç ende vijojnë zjarret në Finiq (28.6 mijë euro për tu mbrojt nga zjarri), por për të përballuar këtë situatë buxheti që kanë në dispozicion është vetëm 202 mijë euro për 7 bashki pjesë e këtij qarku.

E njëjtë është situata në të gjitha bashkitë, për shembull Gramshi i cili është në situatë të rëndë prej flakëve, ku disa fshatra po evakuohen menjëherë, ka vetëm 24 mijë euro buxhet për t’u mbrojtur nga flakët.

Për t’ju bërë ballë flakëve aktivizohen edhe ‘Emergjencat Civile’, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila përgjigjet për pasojat nga fenomenet natyrore, përmbytjet, zjarret apo tërmetet.

Janë 55 milionë euro fondet në dispozicion të emergjencave për këtë vit nga 34 milionë euro që ishte vlera vjet.

Pra në total janë 76 milionë euro të dedikuara për mbrojtjen nga zjarret dhe për emergjencat civile këtë vit.

Por mungesa e kapaciteteve për të luftuar me flakët në këtë verë po ‘mbushet’ me helikopterë nga shtete të ndryshme të Evropës apo edhe nga Emiratet Arabe.

Banka Botërore thotë se Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziqet klimatike nga zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe tërmetet./shqiptarja.com

BUXHETI PËR EMERGJENCAT CIVILE

Viti 2024          34 milionë euro

Viti 2025          55 milionë euro

Rritja               +21 milionë euro