Deputeti i Partisë Laburiste dhe i dërguari i tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar në Turqi, Afzal Khan, ka dhënë dorëheqjen pas kritikave të shumta për vizitën e tij në veriun e Qipros së pushtuar nga Turqia më 8 gusht.
Khan tha se udhëtimi ishte për arsye personale, pasi po vizitonte familjen dhe po merrte një diplomë nderi nga një universitet, por gjatë qëndrimit u takua edhe me udhëheqësin turk qipriot, Ersin Tatar.
Ky veprim shkaktoi reagime të ashpra si nga qeveria qipriote, ashtu edhe nga autoritetet britanike. Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Republikës së Qipros e cilësoi vizitën si “absolutisht të dënueshme dhe të papranueshme”, ndërsa Ministria e Jashtme britanike theksoi se z. Khan e kishte bërë vizitën në “kapacitet personal”.
Pas presionit, ai njoftoi dorëheqjen të premten, duke i shkruar një letër kryeministrit Keir Starmer se tërheqja ishte “më e mira për të mos shpërqendruar qeverinë nga puna e saj e vështirë për marrëveshje tregtare”.
Ministria e Jashtme e Qipros e përshëndeti vendimin, duke e quajtur “një zhvillim të rëndësishëm në këtë kohë të ndjeshme”. Vizita e Khan ndodhi vetëm një muaj pasi Qiproja shënoi 51-vjetorin e pushtimit ushtarak turk, i cili çoi në ndarjen e ishullit në vitin 1974. Aktualisht, vetëm Turqia e njeh Qipron Turke dhe mban 35 mijë trupa në veri, ndërsa përpjekjet për ribashkim vazhdojnë, megjithëse bisedimet e fundit në Nju Jork nuk prodhuan rezultat.