Ballina Bota Botsvana “shkruan histori”: Nga rreziku i zhdukjes tek shpresa për kurim për...

Botsvana “shkruan histori”: Nga rreziku i zhdukjes tek shpresa për kurim për fëmijët me HIV

22
0

Në fillim të viteve 2000, Botsvana përballej me një krizë shëndetësore që politikanët e vendit e konsideronin kërcënim ekzistencial.

Një në tetë foshnja lindnin të infektuara me HIV, ndërsa transmetimi nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjidhënies arrinte deri në 40%, sipas të dhënave të UNAIDS. Vdekshmëria e fëmijëve nën moshën pesë vjeç u dyfishua mes viteve 1990 dhe 2000. Në atë kohë, presidenti Festus Mogae shprehej: “Na kanoset rreziku i zhdukjes.”

Megjithatë, nga kjo gjendje kritike do të lindte një nga programet më të suksesshme të botës për eliminimin e HIV. I udhëhequr nga mjeku pediatër Loeto Mazhani, me mbështetjen e qeverisë, Botsvana arriti të ulte normat e transmetimit nga nëna tek fëmija në më pak se 1% pas dy dekadash ndërhyrjesh të guximshme, raporton The Guardian.

Një sukses i padiskutueshëm

Në fillim të vitit 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë e njohu Botsvanën si vendin e parë me prevalencë të lartë të HIV-it që arrin statusin Gold Tier për eliminimin e transmetimit “vertikal” të virusit, nga nëna tek fëmija, si problem i shëndetit publik.

Suksesi ishte aq i madh sa, sipas mjekes Ava Avalos, fillimisht OBSH refuzoi të besonte shifrat: “Na thoshin.‘ Është e pamundur që të keni kaq pak raste’. Vetëm pas vitesh pranuan se programi ynë funksiononte vërtet.”

Sot, infektimet e reja pediatrike janë aq të rralla sa çdo rast i vetëm hetohet me kujdes për të kuptuar shkakun.

Strategjitë që ndryshuan historinë

Një nga vendimet kyçe ishte zbatimi, në vitin 2013, i strategjisë Option B+ të OBSH-së, e cila ofron terapi antiretrovirale me tre barna për të gjitha gratë shtatzëna dhe gjidhënëse që jetojnë me HIV. Botsvana ishte një nga vendet e para në botë që e financoi këtë program në shkallë kombëtare. Ky hap jo vetëm që përmirësoi shëndetin e nënave, por praktikisht ndaloi transmetimin te fëmijët.

Sfidat ishin të shumta: ndër to, bindja e grave për të përdorur qumësht formulë në vend të gjidhënies, gjë që në fillim u pa si stigmë. Ndërkohë, laboratore të reja në veri dhe jug të vendit mundësuan testime të përsëritura PCR për gratë shtatzëna, duke bërë të mundur ndërhyrjen e menjëhershme me terapi antiretrovirale kur një nënë infektohej gjatë shtatzënisë.

Ndryshe nga shumë vende të tjera të Afrikës Sub-Sahariane, Botsvana arriti këtë sukses falë mbulimit pothuajse universal të kujdesit para lindjes, me shumicën e grave që lindin në spitale dhe me testim të menjëhershëm për foshnjat.

Fëmijët që mund të jenë çelësi i kurës

Sot, një grup unik fëmijësh dhe adoleshentësh në Botsvana, që kanë marrë terapi që nga lindja, kanë arritur të shtypin virusin në nivele pothuajse të papërceptueshme. Studiuesit besojnë se këta fëmijë mund të jenë kandidatët më të përshtatshëm për trajtime eksperimentale që synojnë një kurë të plotë.

Një provë klinike historike po zhvillohet aktualisht në vend, ku rreth 30 fëmijë po trajtohen me antitrupa neutralizues të gjerë (bNAbs) – një klasë e re barnash që synon disa lloje të HIV-it dhe nxit sistemin imunitar t’i njohë ato. Qëllimi është që pas 11 muajsh disa prej tyre të mund të jetojnë pa terapi të vazhdueshme, duke u konsideruar praktikisht të kuruar.

Sfidat ekonomike dhe pasiguria

Pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, sfidat mbeten. Ekonomia e Botsvanës, e mbështetur kryesisht te diamantet, po përballet me presione të mëdha për shkak të konkurrencës së gurëve sintetikë dhe tarifave të larta ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, kjo e bën më të brishtë mbështetjen afatgjatë për programet kundër HIV.

“Programi ynë ka qenë rezistent sepse financohet nga qeveria, por pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë rreziku mbetet real,” thotë Joseph Makhema nga Botswana Harvard Health Partnership.

Shpresa për botën

Pavarësisht pengesave, Botsvana ka treguar se edhe vendet me burime të kufizuara mund të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme përmes vendosmërisë politike, shkencës dhe kujdesit shëndetësor universal. Dhe tashmë, vendi shihet si skena më premtuese për një kurë të mundshme të HIV-it tek fëmijët.

“Nëse nuk mund ta arrijmë këtu, nuk e di ku mund ta bëjmë,” thotë Avalos.