Kryeministri shqiptar sulmon prokurorë e gjyqtarë dhe krekoset si gjeli në majë të pirgut me pleh që quhet qeveria shqiptare. Dhjetëra kërcënime që nuk dalin në pah për publikun dhe mbyten në heshtjen dhe frikën e denoncuesve individë, të cilët ndihen të tmerruar nga pushteti represiv që ky kryeministër ka ndërtuar. Para disa ditësh u morr peng një ish drejtues i lartë që po zbardhte aferat e shekullit që po ndodhin në institucionin që mban sekretet e shqiptarëve, AKSH. Ndërkohë një kërcënim ka ndodhur ndaj një gazetari të ri dhe të guximshëm, që nuk ka rrudhë në gjuhë dhe nxjerr të palarat e pushtetit, të grupit të strukturuar të atashuar pas pushtetit dhe zbardh pa frikë korrupsionin e frikshëm që ka marrë peng këtë vend. Julian Morina miku i ngushtë i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama ka kërcënuar Almer Toskën. Kush e kreshpëroi këtë bandit që të kërcënojë një gazetar, lejet e ndërtimit, tenderët apo 16 mijë metra katrorë pa leje të ndërtuara në mes të Tiranës dhe legalizuar nga Vellai i Olsit, Edi Rama?
Lajmi i Timoni.al
Drejtuesi i portalit Timoni.al, Almer Toska, është përballur me kërcënime të hapura dhe sharje ndaj familjes së tij pas publikimit të një shkrimi investigativ ku u zbardhën aktivitetet e dyshuara kriminale të biznesmenit Lul Morina. Investigimi nxori në pah lidhjet e Morinës me politikën, përfitimet e marra përmes lejeve të ndërtimit nga Belinda Balluku, si dhe të kaluarën e tij të dyshuar si trafikant droge dhe trafik femrash në vitet ’90. Burime nga redaksia bëjnë të ditur se pas publikimit të shkrimit, Morina ka përdorur gjuhë kërcënuese për të tentuar ta trembë Toskën dhe për ta detyruar të heshtë. Kërcënimet kanë përfshirë edhe sharje ndaj familjes së tij, një metodë tipike e individëve që nuk kanë argumente për të kundërshtuar faktet por vetëm për të ushtruar presion dhe frikësim. Investigimi i Timoni.al tregoi qartë se Morina ka shfrytëzuar lidhjet politike për të blerë vota, për të marrë leje ndërtimi dhe për të forcuar ndikimin e tij në tregun privat dhe publik. Ai ka përfituar favore të mëdha duke përdorur pushtetin dhe duke manipuluar mekanizmat e shtetit për të avancuar interesat personale, duke shkelur standardet e transparencës dhe ligjit. Almer Toska ka deklaruar se kërcënimet nuk do ta ndalin në detyrën e tij gazetareske dhe se angazhimi i tij për të sjellë të vërtetën për publikun do të vazhdojë pa kompromis. Redaksia e Timoni.al thekson se çdo kërcënim, sharje apo shantazh ndaj gazetarëve duhet të ndiqet nga organet ligjzbatuese dhe të marrë përgjigjen e duhur.
Ky rast është një shembull i qartë i përplasjes mes krimit, pushtetit dhe gazetarisë së lirë, dhe tregon rëndësinë e veprimit të menjëhershëm nga Policia e Shtetit dhe SPAK për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe mbrojtjen e transparencës së informacionit publik. Heshtja ose vonesa e tyre nuk mund të tolerohet, pasi çdo minutë vonese mund të interpretohet si mbështetje për individët me të kaluar kriminale dhe lidhje politike.
Publiku shqiptar tani ka mundësinë të kuptojë sesi krimi dhe politika bashkohen për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të frikësuar çdo gazetar që denoncon lidhjet e errëta dhe aktivitetet e dyshimta. Investigimi i Timoni.al nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të zbardhë të vërtetat, pavarësisht kërcënimeve dhe presionit nga individë si Lul Morina.
Statusi i plotë i gazetarit Almer Toska në FB:
Pas publikimit të shkrimit investigativ mbi biznesmenin Lul Morina, ku u faktua e kalua
ra e tij kriminale si trafikant femrash dhe droge, lidhjet e tij me pushtetin e sotëm dhe përfitimi i lejeve të ndërtimit falë mbështetjes politike nga Belinda Balluku, unë jam kërcënuar hapur. Morina më ka dërguar mesazhe fyese ndaj familjes sime dhe ka përdorur gjuhën e shantazhit për të më frikësuar.
Ky veprim tregon qartë se Morina nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime. Ai vepron siç ka bërë gjithmonë, me dhunë dhe arrogancë, duke besuar se lidhjet e tij me pushtetin e mbrojnë nga ligji. Por kjo nuk është më një çështje personale mes meje dhe tij, është një çështje publike që prek të gjithë shoqërinë shqiptare. Policia e Shtetit dhe SPAK nuk mund të heshtin. Nëse kërcënimet e hapura nga një person me të kaluar kriminale nuk mjaftojnë për të nxitur veprimet e organeve ligjzbatuese, atëherë ky vend është peng i mafies së pushtetit dhe trafikantëve që janë shndërruar në oligarkë të rinj. Heshtja e policisë do të thotë bashkëpunim, vonesa në veprim do të thotë mbrojtje, mungesa e hetimit do të thotë kapje e shtetit.
Lul Morina është shembulli i qartë i asaj se si krimi i organizuar është integruar në politikë dhe ekonomi. Nga trafikant në vitet ‘90, ai është kthyer sot në “biznesmen të suksesshëm”, duke blerë vota për pushtetin dhe duke marrë leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të tij. Dhe sot, ai guxon të kërcënojë hapur gazetarë dhe qytetarë vetëm pse publikojnë të vërtetën. Unë e them qartë: kërcënimet nuk më trembin dhe nuk do të më ndalin. Përkundrazi, ato janë provë e gjallë se shkrimi im ka goditur në zemër të së vërtetës. Ky është momenti kur Policia, Prokuroria dhe SPAK duhet të tregojnë se a janë në shërbim të qytetarëve apo në shërbim të trafikantëve të lidhur me pushtetin.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë vendi ku trafikantët bëhen ndërtues, ku blerësit e votave bëhen partnerë të qeverisë, dhe ku kërcënuesit trajtohen si të paprekshëm. Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën. Ligji nuk mund të jetë armë në duart e pushtetarëve, ligji duhet të jetë mbrojtja e qytetarëve. Dhe nëse Policia dhe SPAK heshtin sot, nesër askush nuk do të ketë më besim tek shteti.