Ballina Rajoni 4-vjeçarja shqiptare u mbyt në pishinë/ Familja e pranishme në shtëpi kur...

4-vjeçarja shqiptare u mbyt në pishinë/ Familja e pranishme në shtëpi kur ndodhi aksidenti, kërkimet zgjatën rreth një orë

28
0

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vdekjen tragjike të një 4-vjeçareje shqiptare në Paxos të Greqisë, e cila u gjet e mbytur të premten pasdite në pishinën e një vile pranë shtëpisë ku jetonte me familjen. Kërkimet për vogëlushen filluan rreth orës 16:00 dhe zgjatën rreth 50 minuta, derisa ajo u gjet rreth orës 16:50.

Kryetari i bashkisë së Paxos, Spyros Vlachopoulos, tha se oficerët e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe përpoqën të jepnin ndihmën e parë për fëmijën, por pa sukses. “Prindërit nuk e kuptuan që ajo doli jashtë dhe atje ka një vilë me pishinë. Fëmija padyshim shkoi atje për të luajtur dhe pjesa tjetër është e trishtueshme…”, u shpreh Vlachopoulos.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore të Paxos, Michalis Kantas, shtoi se ekipet mjekësore vazhduan përpjekjet për shpëtimin e saj, duke aplikuar CPR dhe oksigjen për rreth tre të katërtat e kohës, por vajza nuk reagoi dhe u konstatua se ishte mbytur. Vogëlushja do të festonte ditëlindjen më 26 gusht.

Gjyshja e vajzës shprehu dhimbjen e saj për mediat greke: “Jam vërtet e shkatërruar. Policia mori burrin tim, fëmijën tim dhe dhëndrin tim për të shkuar në prokurori. Jam në shok, jam vetëm, jam gati të vdes.” Ndërsa xhaxhai i 4-vjeçares tregoi: “Ishte momenti i keq. Gjithçka ndodhi brenda një ose dy minutash. Babai dhe gjyshi po flinin, vajza e vogël po luante me kovën dhe kukullën e saj në hyrje të shtëpisë.”

Babai i vogëlushes kishte bërë një tatuazh me datën dhe orën e lindjes së saj, 26 gusht 2021, që tregon dorën e tij duke mbajtur të sajën dhe emrin e vajzës, Amelia.

Prokurori ka ngritur kallëzim penal ndaj nënës, babait dhe gjyshit të vajzës për ekspozimin e një të miture ndaj rrezikut, pasi të tre ishin në shtëpi dhe flinin kur fëmija u zhduk. Afërmit kanë deklaruar se zhdukja ndodhi brenda pak minutash dhe se sapo kuptuan mungesën e vajzës njoftuan menjëherë policinë dhe filluan kërkimet. Vajza u gjet pak më vonë pa shenja jete në pishinën e vilës, nga kuzhinieri që shkoi për të punuar.