Ballina Kulturë Mozaiku i Anastas Kostandinit vendoset mbi fasadën e bashkisë Pogradec

Mozaiku i Anastas Kostandinit vendoset mbi fasadën e bashkisë Pogradec

12
0

Në fasadën e Bashkisë së Pogradecit është vendosur mozaiku i titulluar “Iliria” realizuar nga mjeshtri Anastas Kostandini (Taso).

Taso e realizoi këtë mozaik në kujtim të vëllait të tij Sotiraq Konstandini, i cili ka qenë edhe arkitekti e inxhinieri i godinës. Gjatë ceremonisë së inagurimit ishin të pranishëm kryebashkiaku, Ilir Xhakolli, prefekti i Korçës Nertil Jole si dhe miq të Konstandinit e qytetarë të Pogradecit.

“Anastasi dhe Sotiraqi, dy vëllezër që kanë lënë një gjurmë të patjetërsueshme për qytetin e tyre dhe vlerësohen nga admiruesit e artit dhe punës së tyre”, u shpreh prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.

Mozaiku mural përmban motivet e Paftës Ilire të zbuluar në Selcën e Poshtme. Pafta e cila daton në shek. III para Krishtit është e zbukuruar me një skenë luftimi ku luftëtarët ilirë mposhtin armikun, e ndërdhurur kjo me elementet mitologjike, siç janë dragoi, grifoni, peshku dhe zogjtë. E gjithë skena e treguar në këtë artifakt është një interpretim i legjendës së Kadmit, i cili pasi i ndihmoi enkeleasit të triumfonin mbi armiqtë, u shndërrua në një dragua.

Më herët vetë piktori dhe mjeshtri i mozaikut, pati ndarë në rrjetet sociale historinë që qëndronte pas 2 hapësirave boshe në fasadën e ndërtesës së projektuar nga vëllai i tij, 44 vite më parë. Arkitekti kishte dashur që të shihte mbi atë fasadë, një vepër të të vëllait, bashkëngjitur veprës së tij.

Kohë më parë, Taso realizoi veprën e parë “E bukura e Liqenit dhe Era Pranverore” (grafikë në hekur), e cila gjeti vendin e merituar në hapësirën majtas fasadës. Ndërsa tani vendosi veprën e dytë ne krahun e djathtë të fasadës; një mozaik me trajta grafike, krijuar mbi motivet e Paftës së Selcës.

“Iliria” është vepra e dytë, me të cilën plotësohet diptiku i kësaj fasade, por edhe një ëndërr e kahershme e autorit.

Të dy motivet lidhen me zanafillën e zonës së Pogradecit, me mitet, legjendat dhe traditat.

Anastas Kostandini ka lindur në Pogradec. Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i specializuar për art monumental. Është një nga bashkë autorët e mozaikut “Shqipëria”, mozaiku i restauruar në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. atsh