Ballina Kulturë Basir Bushkashin, poezia e ndjek kudo – rreth vëllimit “Zërat e ndjenjave”

Basir Bushkashin, poezia e ndjek kudo – rreth vëllimit “Zërat e ndjenjave”

21
0

Nga Shpendi Topollaj

Poetët janë të çuditshëm; ngado që venë e marrin frymëzimin me vete. Në sytë e tyre, edhe diçka në dukje pa rëndësi, bëhet shkak për të krijuar një poezi të bukur. Pra, ata përherë e shohin botën që i rrethon, në mënyrë poetike. Nuk ka sesi të bëjë përjashtim nga kjo e vërtetë edhe i mirënjohuri matjan Basir Bushkashi, gjë që dallon edhe te libri i tij i sapo botuar “Zërat e ndjenjave…”, botim i ADA. Ndjenjat e tij gjallërohen, zemra e tij rreh vrullshëm e shpirti i mbushet me gëzim, si në ashpërsinë e maleve të vendlindjes, ashtu edhe në butësinë e qilimtë fiorentinase në Prato, Firence, Çeçina a Sasuolo, e në Këln të Gjermanisë, deri edhe gjatë fluturimit në avion. Kur e takon Basirin për herë të parë, ai me një sinqeritet aspak të zakonshëm dhe me një revoltë që nuk e fsheh, për padrejtësitë e ligësitë e përditshmërisë tonë, të lë përshtypjen e një njeriu disi të ashpër e rebel. Por kur njihesh me të, dhe sidomos kur ai diskuton për letërsinë apo lexon librat e tij plot mençuri e delikatesë, e sheh se je gabuar. Ai paraqitet aty ashtu siç është; i butë, i dashur, ledhatues, fisnik, plot emocione. Dhe të gjitha këto cilësi, ai i përmbledh në fare pak vargje. Poezitë e tij janë nga më të shkurtrat, të shumtat me një ose dy a tri stofa të vogla. Nuk ka në to fjalë a shprehje të stisura. Për më tepër, ato të mbeten gjatë në mendje. Ishte Anton Çehovi ai që thosh se “Te shkurtësia qëndron talenti”. Dhe për talentin e tij janë shprehur plot firma autoritare të letrave tona, si për shembull kritiku Behar Gjoka i cili nuk rri pa përmendur limfën e ndërlikuar jetësore të poezive të tij, formën e lirikës të një butësie dhe brishtësie, sjelljen e një drite tjetër, ngjyrosjen e ditëve me shenja shpirtërore eseniniane, lirizmin e hollë,  kahjen nga ligjërimi i poezisë së dashurisë dhe natyrës, si dhe marrëdhëniet e qytetarit me lirinë. Ky është lajtmotivi i Basirit, kjo është mënyra e të kuptuarit për krijimtarinë poetike në përgjithësi, që ai e përshëndet edhe te të tjerë, si fjala vjen te “Të gjithë poetët”, ku shkruan: “Të gjithë poetët, / I dua me shpirt, / Se nëpër vargje, / Derdhin dritë. / E, në çdo zemër, / Ngrenë fole, / Ata, shpirtbukurit, / Si qielli pa re…”. Por duhet pranuar se talenti është i lindur; gjatë jetës ai kultivohet me eksperiencë apo nëpërmjet leximeve pa fund. Basiri e ndiente qysh i vogël se gjithçka rreth e rrotull e shihte disi ndrysh të tjerëve: “Jam rritur mes vargjesh, / Që në fëmijëri: / S`di se si më vinin, / Si një melodi…”. Personazhe të tij shpesh janë edhe malet, edhe lumi, edhe era, edhe stinët, edhe pylli, edhe mëngjeset, edhe lulëkuqet e fushës, që i duket se tundin kokat, si për të pëshëndetur udhëtarët e trenit,  e kështu me radhë. Por vendin e parë, patjetër që zë e bukuria femërore, bukuria që trondit e lumturon çdo qenie njerëzore, ajo bukuri që e mahnit poetin por që edhe botën e bën më të bukur. Ajo dashuri të cilës ai i këndon: “Bukuria e femrës, / Aq e shenjtëruar: / Dhe gurin dhe drurin, / E bën t`dashuruar… / Dhe kënga së thelli, / Flakëron nga mallet: / Edhe të vdekurit, / I ngre nga varret…”. Poeti është edhe ëndërrimtar; me sytë e mendjes, ai lutet të ishte qoftë dhe fllad që të mund të përkëdhelte buzët dhe flokët e saj. Prandaj gëzohet kur një ditë, teksa qëndronte në sheshin e Firences, ku dikur Dantja shihte Beatriçen e pavdekshme, sheh dy të rinj, që duke u puthur, rinuan gjithçka rreth e rrotull. Ja, kjo është forca e dashurisë, që ndofta pikërisht poeti e përjeton më shumë se kushdo. Dhe pason pastaj poezia “Ajo”, ku ai kishte përcjellë një shoqe kur qenë studentë, por që ajo nuk e mbante mend, kur u takuan vite më pas. Ndaj është gjetje interesante ndërhyrja e dikujt: “Një shok m`pëshpëriri, / Për t`më qetësuar: / – Po ta kishe puthur, / S`do të kish harruar”. Dhe Basiri nuk është i pari poet që i rrotullohet puthjes, të cilën Alfred de Musset e quan gjuhë universale dhe për të cilën Pablo Neruda thotë se : “Në një puthje do të gjesh gjithçka që s`të kam thënë”. Ngaqë e konsideronte të tillë, poeti merr rrugën për Verona, për të takuar Zhulietën, tani të shndërruar në statujë, por që si pasojë e puthjeve të dikurshme me Romeon, kishte tronditur tokën dhe qiellin lart: “Dikur kësaj rruge, / Vezulloje ti… / Sa rruga përndizej, / Në dritë e magji…”. Por ai e di se jeta nuk është përherë lumturi pas puthjeve. E di fatin e Zhuljetës, por më shumë ndalet te fundi vetvrasës i Ema Bovarisë së gjorë: “M`erdhe si dhimbje, / Nuk di sesi, / Ti ëndërrshuara, / Ema Bovari…”. Por dhimbja e poetit shtrihet më tej, deri te problemet tona sociale, ku: “”Çdo ditë Atdheu, / Më i pakë: / Qiejt e dhimbjes, / Digjen flakë…” apo “Bijtë, aq larg, / Kuturu në Botë: / Me therje në zemër, / Me sy të përlot…”. Apo: “Tronditur, / Njerëzit, / Gati n`të rënkuar… / Nga ujqërit, / E kohës, / Duke uluruar…” Në këtë libër janë shkruar me shumë fjalë zemre nga Basiri, poezi kushtuar miqve e sidomos kolegëve të tij (sikurse ka bërë edhe në disa libra të tjerë), si ato për Nazmi Seitajn, Behar Gjokën, Perit Rukën, Vladimir Muçën, Mevlud Bucin etj. si dhe për autorin e këtyre radhëve etj., apo për të mëdhenjtë e letërsisë si Molieri e Leon Tolstoi, për të cilin; Jasnaja Poljana, duhet bekuar se i fali njerëzimit gjeniun e praruar. Basir Bushkashi, i njeh dhe zbaton rregullat e ndërtimit të poezive, edhe për faktin se ka qenë profesor gjimnazi për letërsinë. Ai e di mirë, se veç emocioneve dhe mesazheve, zë një vend të rëndësishëm edhe ndërtimi i tyre. Ai, kudo kujdeset për rimën dhe asonancën, dhe kjo i jep hijeshi poezive të tij dhe i bën ato të lehta dhe të këndshme për lexuesit. Por ai, nuk e ka qëllim më vete, të mbetet parnasian nga forma, por sikurse vërente Lasgushi ynë, që i referohej oratorit francez Georges Danton, e ndërton poezinë ashtu siç kërkonte ai; duke bërë Art.