Është e vështirë të imagjinohet se si do të dukej Nju-Jorku pa Statujën e Lirisë. Megjithatë, më shumë se një shekull më parë, pati një moment në historinë amerikane kur Zonja e Lirisë rrezikoi të përfundonte në Filadelfia ose San Francisko. Fakti që ajo vazhdon edhe sot të mbajë pishtarin lart në ishullin Liberty, në portin e Nju-Jorkut, është dëshmi e vullnetit të popullit amerikan. Por thirrjen për veprim e bëri Joseph Pulitzer, një emigrant hungarez që mbërriti në Amerikë pa asnjë kacidhe dhe arriti të bëhej një botues i suksesshëm gazetash.
Emri i Pulitzer lidhet me shumë gjëra: stilin sensacionalist të raportimit që përdorte ndonjëherë gazeta e tij, të njohur si gazetaria e verdhë; rivalitetin e ashpër me William Randolph Hearst, një tjetër manjat të medias; dhe, natyrisht, Çmimin Pulitzer, të cilin ai e krijoi përmes një fondacioni të përcaktuar në testamentin e tij.
Pulitzer ishte gjithashtu një njeri që dinte të mobilizonte njerëzit dhe besonte se media e shkruar mund të përdorej për të ndikuar pozitivisht në shoqëri. Ndoshta shembulli më i mirë i kësaj qasjeje, të cilën rivali i tij Hearst e quante “gazetari e veprimit”, është mënyra se si Pulitzer reagoi kur mësoi se Statuja e Lirisë ishte në rrezik.
Në vitin 1885, statuja e çmontuar u transportua drejt Amerikës si dhuratë nga Franca. Ajo ishte menduar të simbolizonte lirinë dhe demokracinë amerikane, si dhe lidhjen e krijuar mes dy vendeve aleate gjatë Revolucionit Amerikan. Franca kishte paguar për të gjithë statujën; asaj i nevojitej vetëm një piedestal ku të vendosej. Ndërsa Shtetet e Bashkuara duhej të financonin projektimin dhe ndërtimin e tij, me një kosto prej rreth 250 mijë dollarësh (afërsisht 6.55 milionë dollarë sipas vlerës së vitit 2019).
Komiteti Amerikan për Statujën e Lirisë, i ngarkuar me mbledhjen e fondeve për ndërtimin e monumentit, arriti të siguronte pak më shumë se gjysmën e shumës së nevojshme. Si shteti i Nju-Jorkut, ashtu edhe Kongresi amerikan refuzuan të mbulonin pjesën e mbetur. Kështu, pjesët e Zonjës së Lirisë përfunduan të magazinuara në një depo. Në një moment, komiteti i mbledhjes së fondeve kërcënoi se do ta kthente statujën në Francë, nëse nuk siguroheshin paratë e nevojshme.
Kjo ndodhi përpara se filantropia të merrte hov në Amerikë. Ajo nisi të zhvillohej rreth kohës kur Andrew Carnegie botoi në vitin 1889 artikullin e tij “The Gospel of Wealth” (Ungjilli i Pasurisë), ku u bënte thirrje milionerëve të tjerë të Epokës së Artë të dhuronin një pjesë të pasurisë së tyre për të mirën e përbashkët.
Prandaj, nëse komiteti donte të siguronte paratë për piedestalin, duhej t’u drejtohej amerikanëve të zakonshëm. Në të gjithë vendin u bënë thirrje publike për donacione, “të çdo shume, sado të madhe apo të vogël”. Në këmbim të kontributit për fondin e statujës, dhuruesve u premtohej një certifikatë e ilustruar.
Megjithatë, ishte e vështirë të bindeshin amerikanët jashtë Nju-Jorkut të kontribuonin financiarisht. Siç u shpreh një banor i Indianës, monumenti shihej si një çështje e Nju-Jorkut dhe jo si “një çështje kombëtare”. Një tjetër person vuri në pikëpyetje arsyen pse komiteti po u kërkonte “banorëve të Çikagos dhe Konektikatit të paguanin shpenzimet që njujorkezët dëshironin t’u shmangeshin”, sipas raportimeve të gazetave të kohës.
Disa qytete ofruan të paguanin për piedestalin, në këmbim të së drejtës ekskluzive për ta vendosur statujën në territorin e tyre. Një artikull i botuar në gazetën Philadelphia Press shkruante se qyteti do ta mirëpriste statujën në parkun Fairmount. San Francisko deklaroi se Zonja e Lirisë do të dukej mrekullueshëm përballë ngushticës Golden Gate (ura që më vonë do të merrte emrin e saj ende nuk ishte ndërtuar). Edhe Bostoni dhe Baltimora shprehën interes për ta marrë statujën.
Pikërisht në këtë moment ndërhyri Pulitzer. Ai organizoi aktivitete të ndryshme për mbledhjen e fondeve, përfshirë ndeshje boksi, shfaqje teatrale, ekspozita arti dhe shitjen e miniaturave të Statujës së Lirisë. Gjithashtu, botoi disa artikuj editorialë në gazetën e tij, The New York World (më vonë e shkurtuar në The World), me synimin për të nxitur solidaritetin e publikut me fatin e monumentit.
Në editorialin e tij më të famshëm, Pulitzer shkruante:
“Duhet t’i mbledhim paratë! The World është gazeta e popullit dhe tani u bën thirrje njerëzve të dalin përpara dhe të mbledhin shumën e nevojshme.”
Më tej, ai shtonte:
“250 mijë dollarët që kushtoi ndërtimi i Statujës u paguan nga masat e gjera të popullit francez: punëtorët, tregtarët, shitëset, zejtarët, nga të gjithë, pavarësisht klasës apo gjendjes shoqërore. Le të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Të mos presim që milionerët të na i japin këto para. Kjo nuk është një dhuratë nga milionerët e Francës për milionerët e Amerikës, por një dhuratë e gjithë popullit të Francës për gjithë popullin e Amerikës.”
Dhe, çuditërisht, kjo fushatë pati sukses. Pulitzer mori donacione të vogla nga 125 mijë njerëz, të cilat arritën në një shumë prej 102 mijë dollarësh (afërsisht 2.7 milionë dollarë me vlerën e sotme). Paratë iu dorëzuan komitetit të mbledhjes së fondeve për Statujën e Lirisë dhe kështu u sigurua që monumenti të qëndronte në Nju-Jork.

Për t’i falënderuar dhuruesit, Pulitzer botoi emrat e tyre në gazetë, pavarësisht nëse kishin dhuruar një cent apo një dollar. Ky eksperiment i hershëm i financimit kolektiv, shumë përpara internetit, u bë një shembull pionier i asaj që amerikanët e zakonshëm mund të arrinin pa mbështetjen e njerëzve të pasur.
Gazeta e Pulitzerit vazhdoi të botonte lajme për ecurinë e projektit të statujës, por në një mënyrë mjaft të pazakontë. “Në një editorial pas tjetrit, botuesi fliste për statujën sikur të ishte një njeri dhe, në kohën e përurimit të saj, shkoi aq larg sa e ‘intervistoi’ për fushatën zgjedhore për kryetar bashkie në Nju-Jork në vitin 1886”, shkruan Edward Berenson në librin The Statue of Liberty: A Transatlantic Story. Në këtë “intervistë”, statuja mbështeste Abram Hewittin, i cili më vonë fitoi zgjedhjet, kundrejt Theodore Rooseveltit, presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.
Statuja e Lirisë u bë përfundimisht një simbol i Amerikës dhe i vlerave të saj, të cilat shtrihen shumë përtej portit të Nju-Jorkut. Dhe për këtë, merita i takon edhe Pulitzerit dhe aftësisë së tij për të bindur e mobilizuar njerëzit.







