Ballina Aktualitet Reshjet e shiut ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në disa zona, vetëm...

Reshjet e shiut ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në disa zona, vetëm 1 vatër aktive

28
0

Është përmirësuar situata e zjarreve në të gjithë vendin, e ndikuar shumë edhe nga përmirësimi i kushteve atmosferike dhe reshjet e shiut në disa zona të vendit.

Emergjencat Civile bëjnë me dije se në rang vendi janë evidentuar 10 vatra zjarri dhe falë ndërhyrjes në kohë të forcave operacionale, është bërë e mundur shuarja dhe izolimi i 9 vatrave zjarri, ndërsa vetëm 1 vatër mbetet nën monitorim.

Ekipet zjarrfikëse në bashkëpunim me strukturat vendore dhe shërbimi pyjor kanë ndërhyrë për të garantuar minimizimin e pasojave dhe sigurinë e komuniteteve.

Aktualisht, në Parkun Natyror Gërmenj, bashkia Kolonjë, vatra e zjarrit po mbahet nën monitorim pas disa riaktivizimeve gjatë ditës. Në terren kanë operuar mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, duke arritur ta vendosin situatën nën kontroll. Ndërkohë vatrat e zjarreve që janë vënë në kontroll janë në bashkitë, Selenicë, Fier, Roskovec, Vau i Dejës, Vlorë, Tiranë dhe Malësi e Madhe.

Situata më kritike me zjarret në vend ishte përgjatë javëve të para të gushtit, ku u dogjën sipërfaqe të mëdha me pyje dhe dru frutorë, dhe gjithashtu një numër i madh banesash në bashkitë Delvinë, Poliçan dhe Gramsh, si tre nga bashkitë më të prekura nga zjarret.