Si sot 125 vjet më parë, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka. Ai njëkohësisht njihet edhe si njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.
Hasan Ceka studioi në Vjenë dhe pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare. Ai krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë. Në të njëjtën kohë përfaqësoj Shqipërinë pranë misioneve të huaja në Apolloni e Butrint.
Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të rikthehet në Apolloni dhe do ti kushtoj qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Prof. Cekës i takon në të njëjtën kohë edhe merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, gjithashu edhen nimfeut të qytetit dhe e shumë monumenteve të tjera.
Krahas gërmimeve në Apoloni Prof. H.Ceka tregon një kujdes të veçantë për grumbullimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë monetare antike e mesjetare. Ai ishte një specialist i studimit të monedhave antike, dhe këto studime ai i kurorëzoi me botimin e veprës së njohur “Probleme të numizmatikës ilire” të botuar më 1965 si dhe gjithashtu ai përgatiti edhe veprën “Monetat e Dyrrahut dhe Apollonisë”.
Prof. H.Ceka ishte njohës i mirë i greqishtes se vjetër dhe latinishtes duke u bërë kështu një nga bashkëautorët kryesorë në përkthimin dhe përgatitjen në shqip të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”. Ai është autor i shumë artikujve, studimeve e kumtesave të botuara në revistat shkencore brenda e jashtë vendit. Këto studime janë përmbledhur e botuar në vëllimin “Në kërkim të historisë ilire”, Prof. Hasan Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.