Kalimi i Evropës drejt energjisë së pastër është duke vazhduar me ritme të shpejta, me burimet e rinovueshme që zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të prodhimit të energjisë elektrike në shumë vende.
Megjithatë, brenda kontinentit europian, përqindja e energjisë së rinovueshme në prodhimin e elektricitetit ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin – duke filluar nga 99% në disa shtete, deri në më pak se 10% në të tjera.
Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Visual Capitalist, shifrat përfshijnë elektricitetin e prodhuar nga era, dielli, hidrocentralet, gjeotermia dhe biokarburantet.
Tranzicioni i Evropës drejt energjisë së rinovueshme
Deri në dhjetor 2024, Bashkimi Europian (BE) siguronte pothuajse 42% të prodhimit neto të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, ku era dhe hidrocentralet luanin rolin kryesor në përzierjen totale.
Shqipëria kryeson, duke gjeneruar mbi 99% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, kryesisht nga hidrocentralet. Në mënyrë të ngjashme, Norvegjia prodhon pothuajse të gjithë elektricitetin nga burimet e rinovueshme, ku 89% vjen vetëm nga hidrocentralet.
Danimarka renditet e treta, me energjinë e erës që luan një rol kyç si në prodhimin e energjisë së rinovueshme ashtu edhe në totalin e prodhimit të energjisë elektrike. Në përgjithësi, vendet kryesuese për prodhimin e elektricitetit nga burimet e rinovueshme janë të shpërndara si në Europën Lindore ashtu edhe në atë Perëndimore.
Megjithatë, karburantet fosile mbeten qendrore për rrjetin elektrik në disa pjesë të Europës Qendrore dhe Lindore. Në skajin më të ulët të shkallës, Kosova vazhdon të prodhojë pjesën dërrmuese të energjisë nga qymyri, gazi ose nafta, me burimet e rinovueshme që përbëjnë vetëm 8.8% të totalit.
Pas saj vijnë Malta (9.4%) dhe Moldavia (12.4%), së bashku me Çekia (13%), si vendet me përqindjen më të ulët të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme.
Objektivat e Evropës për Energjinë e Pastër
BE-ja ka vendosur një objektiv detyrues për të arritur të paktën 42.5% të energjisë së rinovueshme në përzierjen totale të energjisë (që përfshin elektricitetin, ngrohjen, ftohjen dhe format e tjera të energjisë) deri në vitin 2030, me një synim për 45%. Kjo është më shumë se dyfishi i përqindjes aktuale prej 19.5%, bazuar në të dhënat më të fundit të vitit 2023.
Në mbështetje të këtyre objektivave, BE-ja ka nisur iniciativa të ndryshme për financimin e energjisë së pastër, duke përfshirë fonde për energjinë e rinovueshme detare dhe miliarda euro investime në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së (EU Green Deal). /ekofin.al