Presidenti amerikan Donald Trump la mënjanë inatin e tij ndaj artistes Taylor Swift, dhe e uroi atë dhe Travis Kelce për fejesën e tyre.
Swift një mega yll në fushën e muzikës dhe futbollisti i NFL, Travis Kelce, njoftuan për fejesën e tyre në një postim në Instagram të martën.
Trump ishte në një mbledhje të kabinetit kur u përhap lajmi dhe u pyet nga një gazetare për reagimin e tij.
“Epo, u uroj shumë fat. Mendoj se ai është një lojtar i shkëlqyer, një djalë i mrekullueshëm. Mendoj se ajo është një person shumë i mirë”, tha ai. “Kështu që, ju uroj shumë fat”.
Kjo vjen derisa raporti mes Taylor Swift dhe Donald Trump ka qenë i tensionuar dhe i ftohtë, kryesisht për arsye politike.
Swift, 35 vjeçe, mbështeti ish-Zëvendëspresidenten Kamala Harris kundër Donald Trump në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke e quajtur demokraten “një lidere të aftë dhe me dorë të qëndrueshme”, e cila do të sillte “qetësi dhe jo kaos”.