Nga Auron Tare
Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spilës më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne te inteligjences Artificiale , isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t.
Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, te shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellen në Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për Shpellën më intrigoi.
Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund.
Imazhi i parë i MEKI-t duket se nje person me shume gjasa një kinez i cili me një projektor në dorë krijon dritehije në shpellën e ndriçuar pas tij.
Në botën e teknologjisë së sotme nje femije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe.
Në fakt, mua më deshen pak me shume se10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpelle Kineze, ne provincen e Huashan.
Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është:
A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spilës në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spilë me Budën e Huashanit?
Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spilës – një shpelle që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerike.
Suggjerim për drejtuesin e MEKI-t:
Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spilës, bazuar në zbulimet arkeologjike. Ky projekt kërkon specialistë të mirfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektrikistë që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull.
Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik.
Faleminderit.