Ballina Kuriozitete SpaceX përfundoi me sukses lëshimin e raketës të projektuar për misionet në...

SpaceX përfundoi me sukses lëshimin e raketës të projektuar për misionet në Hënë dhe Mars

0
22

Të martën në mbrëmje, SpaceX realizoi me sukses lëshimin e dhjetë testues të raketës së saj gjigante Starship, e cila ka një lartësi prej 120 metrash.

Lançimi u krye nga qendra hapësinore e kompanisë në Starbase, Teksas, pas një vonese dyditore për shkak të problemeve teknike dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.

Raketa u nis në orën 19:30 sipas Orës Lindore të SHBA-së (01:30 sipas Orës tonë), pasi përpjekjet e mëparshme të dielën dhe të hënën dështuan. Ditën e parë, nisja u anulua për shkak të një rrjedhjeje të oksigjenit të lëngshëm, ndërsa ditën e dytë procesi u ndërpre dy minuta para lëshimit për shkak të kushteve të këqija të motit.

Gjatë fluturimit, Starship shkëputi me sukses përforcuesin Super Heavy dhe lëshoi në orbitë tetë satelitë testues, duke emocionuar spektatorët që ndoqën ngjarjen nga afër në Teksas.

Ky ishte misioni i parë testues që përfundoi plotësisht me sukses, pas një historie lëshimesh të pasuksesshme. Fluturimi i nëntë kishte përfunduar me shpërthim dhe dështim gjatë fazës së rihyrjes në atmosferë.

Pas rreth një ore në hapësirë, Starship u ul me sukses në Oqeanin Indian, siç ishte planifikuar.

“Ulja u konfirmua! Urime të gjithë ekipit të SpaceX për një fluturim të dhjetë emocionues të Starship!” – shkroi kompania në rrjetin social X (ish-Twitter).

Elon Musk gjithashtu përgëzoi ekipin, duke shkruar: “Punë e shkëlqyer nga ekipi i SpaceX!!”

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte dhënë lejen për këtë nisje pas hetimeve mbi dështimin e fluturimit të muajit maj. Në atë rast, raketa nuk arriti të vendoste ngarkesën në orbitë dhe shpërtheu gjatë rihyrjes në atmosferë.

Sipas SpaceX, problemi kishte qenë një defekt në rezervuarin kryesor të karburantit, i cili u riparua përpara lëshimit të dhjetë.

Përpjekja e fundit erdhi më shumë se dy muaj pas shpërthimit të mëparshëm, kur raketa shpërtheu gjatë një prove rutinë. Po ashtu, dy nisje të tjera – në janar dhe mars – kishin përfunduar në dështim, me raketat që u shkatërruan në Oqeanin Atlantik.

Megjithatë, fluturimi i nëntë shënoi një moment pozitiv, pasi për herë të parë përforcuesi Super Heavy u ripërdor me sukses – një hap kyç drejt objektivit afatgjatë të SpaceX për të ndërtuar një sistem lëshimi plotësisht të ripërdorshëm.

Starship është ndërtuar mbi filozofinë e ripërdorshmërisë së plotë dhe të shpejtë, duke ulur ndjeshëm kostot dhe burimet e nevojshme për çdo mision.

Qëllimi përfundimtar i Elon Musk është të bëjë të mundur udhëtimin njerëzor drejt Hënës dhe Marsit. NASA tashmë i ka dhënë SpaceX-it detyrën për të realizuar misionin Artemis 3 për rikthimin në Hënë në vitin 2027.

Ndërkohë, Musk synon që në vitin 2026, kur Toka dhe Marsi do të jenë në pozicionin më të afërt, të ndërmarrë një mision të parë drejt planetit të kuq.