Erald apo Aldi Mustafa, i cili u prangos pasditen e së mërkurës në Shkozet të Durrësit, është emër jo pak i njohur për autoritetet policore.
Tridhjetenëntëvjeçari njihet si mik i ngushtë i Aleksandër Lahos, ose “Rrumi i Shijakut”, ndërsa prej kohësh është kategorizuar nga Policia si person me rrezikshmëri të lartë.
Mustafa është person që dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje kriminale, përfshirë tri atentate që ka pësuar gjatë viteve të fundit.
Më 3 prill të vitit 2023, automjeti në pronësi të 39-vjeçarit Erald Mustafa shpërtheu me lëndë plasëse në aksin Shkozet–Durrës, ndërsa ai po udhëtonte i vetëm. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.
Ai u arrestua në shtatorin e po atij viti, pasi policia kishte dyshime se po përgatitej për hakmarrje pas atentatit të dështuar që iu bë. Në mjetin e tij u gjet një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak.
Ndërsa në muajin gusht të këtij viti, Erald (Aldi) Mustafa u shpall në kërkim policor, i dyshuar si autor i vënies së një sasie tritoli në banesën e Ilir Gjeçajt.
Erald (Aldi) Mustafa rezulton të jetë dënuar me 10 vjet burgim në Gjermani për veprat penale “kanosje” dhe “prodhim dhe shitje narkotikësh”, ndërsa në Shqipëri ai ndër vite është arrestuar dhe lënë i lirë nga drejtësia, disa herë.