Vitin e kaluar, vlera neto e aseteve të fondeve arriti në 12.87 miliardë lekë ose gati 131 milionë euro, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Rritja e aseteve ishte në nivele të përafërta me vitin 2023.
Në shifrat e raportuara prej 2024 nga AMF, përfshihen edhe treguesit e fondeve të mbyllura të pensionit, të ngritura nga punëdhënësit për punonjësit e kompanive të tyre.
Duke përjashtuar fondet e mbyllura, asetet neto të fondeve të hapura të pensionit rezultojnë rreth 8.1 miliardë lekë ose 82.5 milionë euro.
Numri total i anëtarëve në fondet e pensionit privat arriti në 44 926, në rritje me 15.7% krahasuar me një vit më parë. Rritja e tregut u përmirësua ndjeshëm nga niveli prej 4.6% i vitit 2023.
Gjatë vitit 2024, fondeve private të pensioneve u janë shtuar më shumë se 6100 anëtarë.
Përmirësimi i rritjes së tregut mund të lidhet edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për fondet e pensionit privat”, që ka sjellë rritje të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.
Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor është rritur deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj.
Duke qenë se përjashtimi nga taksat lidhet me nivelin e pagës minimale, pritet që ky stimul të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme.
Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit, ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.
Edhe kontributet e pensionit privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Në një dekadë, numri i anëtarëve të fondeve të pensionit është rritur me më shumë se pesë herë, por kjo rritje ka ardhur mbi një bazë shumë të ulët dhe shkalla e pjesëmarrjes së punonjësve në këto fonde mbetet mjaft modeste.
Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat përbën rreth 3.5% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend.
Fondet e pensionit përfaqësojnë një alternativë kursimi për të pasur të ardhura të mjaftueshme në moshë pensioni. Kthimet e tyre janë në përgjithësi më të ulëta dhe më të qëndrueshme krahasuar me fondet e investimit, edhe për shkak të mënyrës së ndryshme të llogaritjes së kthimit.
Fondet e investimit janë likuide dhe janë të detyruara t’i vlerësojnë asetet me vlerë të drejtë tregu, me bazë ditore.
Ndërsa për fondet e pensionit nuk ndiqet e njëjta logjikë, sepse në teori, fondet nga këto pensione nuk mund të tërhiqen deri në plotësimin e kushteve ligjore (minimalisht pesë vite para moshës ligjore të daljes në pension).
Fondet e pensioneve lejohen që instrumentet financiare ku investohen asetet e tyre t’i kontabilizojnë si të mbajtura deri në maturim, me kosto të amortizuar, ndaj ato nuk ndikohen shumë nga luhatjet afatshkurtra të normave të interesit.
Për këtë arsye, kthimet e fondeve të pensionit reflektojnë kryesisht ecurinë e instrumenteve financiare ku investohen kontributet e tyre, obligacionet e qeverisë shqiptare dhe diferencat në normat e kthimit mes fondeve të ndryshme janë më të vogla.
Shumica e fondeve të pensionit ofrojnë një kthim vjetor pak më të lartë se 4% në vit. Një kthim më të lartë ofrojnë disa fonde të veçanta pensioni që shiten online nëpërmjet aplikacioneve të e-banking të bankave tregtare.
Këto fonde kanë një tarifë administrimi më të ulët dhe kjo rezulton në një normë kthimi më të lartë për anëtarët, me afërsisht një pikë përqindje më shumë.