Nga Bujar Leskaj
Më 27 gusht 2025, Presidenti amerikan Donald Trump bëri një deklaratë të fortë politike, duke kërkuar që miliarderi George Soros dhe djali i tij Aleksis Soros të procedohen në Shtetet e Bashkuara si një organizatë kriminale, nën kuadrin e ligjit RICO (Ligji kundër organizatave me influenca mafioze dhe të korruptuara, në anglisht “Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act”). Ky ligj federal, i miratuar në vitin 1970, përdoret zakonisht për të goditur mafian, kartelët e drogës dhe rrjetet e krimit të organizuar.
Trump argumentoi se aktivitetet e Sorosëve babë e bir, përmes Fondacionit “Shoqëri e Hapur” dhe një rrjeti global organizatash të shoqërisë civile, përmbushin kriteret e një organizate kriminale, sipas ligjit RICO. Ai i akuzoi ata për
(i) ndërhyrje të qëllimshme në politikën amerikane, duke financuar prokurorë dhe gjyqtarë me prirje të majta dhe duke dobësuar sundimin e ligjit,
(ii) ndikim të fshehtë mbi zgjedhjet në SHBA, përmes mbështetjes së kandidatëve të majtë dhe fushatave politike të tyre,
(iii) përdorim të fondeve dhe kapitalit financiar për qëllime politike, duke vepruar jashtë transparencës së ligjit, si dhe
(iv) ndikim të koordinuar ndërkombëtar, për të destabilizuar qeveri konservatore dhe për të promovuar një agjendë mbështetëse ndaj lëvizjes “Woke”, një platformë ideologjike e përkushtuar, ndër të tjera, ndaj shkatërrimit të traditave tradicionale historike, kulturore dhe kombëtare dhe antagoniste ndaj institucioneve tradicionale si familja, kisha apo kombi.
I. Lidhja “filantropi” Soros-kukulla Rama
Fondacioni “Shoqëri e Hapur” i miliarderit amerikan Xhorxh Soros hyri në Shqipëri në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, duke financuar projekte në arsim, kulturë dhe demokraci. Pikërisht në këtë periudhë, shumë figura të majta, mes tyre edhe Rama, gjalluan nën ombrellën e këtij fondacioni.
Edi Rama ka pasur kontakte të hershme me rrjetin e Soros-it, të cilat më vonë u konsoliduan përmes projekteve të përbashkëta dhe mbështetjes politike. Soros ka shërbyer shpesh si urë për lidhjet e Ramës me qarqe ndërkombëtare liberale dhe globaliste. Rama e ka “shpërblyer” me vasalitet të plotë ndaj synimeve të tij ekspansioniste dhe me blerje ndikimi politik në Ballkan.
Prej këtej, lidhja Soros–Rama nuk është thjesht bashkëpunim me një filantrop miliarder, por një marrëdhënie e strukturuar me elementë të një aleance okulte në shumë përmasa. Në politikë, rrjeti i financuar nga Soros ka ushtruar ndikim mbi reforma kyçe në drejtësi dhe mbi rrjedhën e disa vendimeve të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Në media, fondacione të lidhura me Soros kanë mbështetur projekte mediatike që shërbejnë për të krijuar një narrativë të favorshme për qeverinë Rama. Në diplomaci, përmes lidhjeve të Soros-it me qarqe ndërkombëtare të majta, Rama ka siguruar mbështetje të jashtme në momente të vështira politike.
Rama dhe Soros krijuan një dualitet bashkëveprimi okult, ku proceset e vendimmarrjes së Shqipërisë kalonin jashtë syrit publik dhe merrnin formë nëpërmjet lobimeve të fuqishme të padeklaruara. Reforma kyçe, si ajo në drejtësi, u ndikua thellë dhe madje u përcaktua nga agjenda Sorosiane.
Kjo solli:
(i) dobësimin e sovranitetit politik në Shqipëri, pasi vendimmarrja politike u ndikua kryekëput nga interesat e një agjende dhe rrjeti jashtë kufijve të vendit;
(ii) polarizimin e jetës publike dhe demonizimin e opozitës, pasi çdo kritikë ndaj qeverisë etiketohej brenda dhe jashtë vendit si qëndrim kundër gjoja “reformave të domosdoshme”; si dhe
(iii) krijimin e një elite okulte, që qarkullonte brenda strukturave të lidhura me rrjetin Soros.
II. “Non grata” e Prof. Dr. Sali Berishës, goditja e treshes Soros-Blinken-Rama.
Shpallja “non grata” e Prof. Dr. Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj 2021, edhe pse fillimisht u paraqit si një proces i natyrshëm ligjor apo diplomatik i SHBA-ve, në të vërtetë ishte një goditje e orkestruar nga një treshe me interesa të përbashkëta: George Soros – Antony Blinken – Edi Rama. George Soros prej dekadash ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm ndikimi, përmes Fondacionit të tij “Shoqëri e Hapur”. Soros, përmes “kukullës së vet” Rama, imponoi modele politike në Shqipëri, duke nxitur reforma në përputhje me vizionin e tij. Në këtë kuadër, me kërkesë të Ramës, por edhe me interes të drejtëpërdrejtë vetjak të tij, ai u kthye në arkitektin kryesor të fushatës ndërkombëtare kundër Prof. Dr. Berishës, të cilin e perceptonte si pengesë për projektet e tij në Ballkan. Dhe Soros përdori direkt në atë kohë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me familjen e të cilit kishte shumë lidhje.
Ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë njeriu që firmosi vendimin për shpalljen “non grata” të Prof. Dr. Sali Berishës. Sikurse e kanë provuar gazetarë amerikanë, ndër të cilët gazetari i mirënjohur Matt Polumbo, por edhe kongresmenë dhe ish-kongresmenë amerikanë, në cilesimin si “non grata” të Berishës, Blinken u ndikua plotësisht nga afërsia e familjes së tij me rrjetin Soros, duke e kthyer një vendim diplomatik në një veprim të motivuar politikisht. Blinken nuk veproi mbi bazën e provave konkrete, por mbi bazën e një lobimi të fortë dhe një narrative të ndërtuar nga qarqe të majta të interesuara.
Drejtuesi i “sektit” të sotëm në pushtet, Edi Rama, ishte propozuesi dhe përfituesi kryesor i kësaj goditjeje. Duke u shpallur Berisha “non grata”, opozita u gjend e përçarë dhe e dobësuar, ndërsa Rama konsolidoi pushtetin e tij në vend.
Vendimi i shpalljes “non grata” ishte një akt të motivuar politikisht dhe jo mbi baza të provuara ligjore. Ai përbënte një grusht të orkestruar kundër një figure simbolike të qëndresës kombëtare dhe demokracisë në Shqipëri.
“Non grata” e Prof. Dr. Sali Berishës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të përplasjes politike dhe gjeopolitike në Ballkan. Në mënyrën se si u ngjiz, ky cilesim përfaqësonte një goditje të koordinuar të treshes Soros – Blinken – Rama, ku secili kishte interesin e vet: Soros për të zgjeruar agjendën dhe forcuar ndikimin e tij në Ballkan, Blinken për të përforcuar një narrativë diplomatike të SHBA-ve, dhe Rama për të dobësuar opozitën dhe për të konsoliduar pushtetin në vend. Kjo ngjarje mbetet një nga shembujt më të fortë të ndërthurjes së interesave okulte të brendshme dhe të jashtme në politikën shqiptare.
III. “Reforma” sorosiane në drejtësinë e Shqipërisë.
Arkitekti dhe nxitësi kryesor nga prapaskena i reformës në drejtësi të nisur në vitin 2016 ka qenë George Soros dhe rrjeti i tij i Fondacionit “Shoqëri e Hapur”. Soros dha mbështetje financiare dhe teknike, pasi Fondacioni i tij ka financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë që u përfshinë në hartimin dhe promovimin e reformës.
Soros, përmes lidhjeve të tij me qarqet e majta në SHBA dhe në BE, ushtroi ndikim mbi diplomatët dhe institucionet e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian, që e mbështetën reformën. Disa prej organizatave të mbështetura nga rrjeti i tij kanë marrë rol të drejtpërdrejtë në procesin e monitorimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.
Roli i George Soros ishte përfundimisht një kapje e plotë e drejtësisë shqiptare, përmes një agjende të huaj. Reforma u shndërrua në një mjet për të dobësuar opozitën dhe për të forcuar pushtetin e “sektit” Rama.
Kontrolli mbi procesin reformues në drejtësi kaloi në duart e një rrjeti ekspertësh dhe organizatash të lidhura me Soros-in, duke e larguar atë nga shoqëria dhe nga transparenca publike. Drejtësia e re, në vend që të ishte e pavarur, veproi në mënyrë selektive dhe u përdor nga Rama për goditje politike.
xx
Duke iu bindur verbërisht padronit Soros, lakeu dhe vasali Rama arriti t’i përdorte Sorosët babë e bir për të dobësuar opozitën dhe për të marrë në dorë drejtësinë. Por tani i ka ngecur sharra në gozhdë, pasi Presidenti Donald Trump është angazhuar të çrrënjosë totalisht sorosizmin nga trualli amerikan dhe ndikimi i tij negativist në botë. Takimet e punës gjatë korrik -gushtit ndermjet dyshes Soros -Rama
janë për të përballur këtë betejë me Presidentin Trump. Është detyra jonë e parë si opozitë të kontribuojmë në demaskimin e rrjetit Soros-Rama, këtij rrjeti té rrezikshëm për demokracinë , duke shpjeguar thellësisht përdorimin e Shqipërisë si kavie eksperimentale në implementimin e wokizmit dhe në betejën për desorosizimin e vendit!