Ballina Rajoni Greqia miratoi një ligj për kthimin me forcë të emigrantëve pa dokumente

Greqia miratoi një ligj për kthimin me forcë të emigrantëve pa dokumente

13
0

Parlamenti grek miratoi sot një ligj të diskutueshëm që parashikon kthimin me forcë të azilkërkuesve të refuzuar dhe kriminalizon qëndrimin e paligjshëm në vend, gjë që tani dënohet me dy deri në pesë vjet burg.

Pavarësisht kritikave të shumta nga Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Avokati i Popullit Grek, Unioni i Gjyqtarëve Administrativë dhe një numër OJQ-sh për të drejtat e njeriut, ligji u miratua nga shumica e partisë konservatore në pushtet, Demokracia e Re (ND), partisë nacionaliste Niki dhe deputetëve të pavarur të ekstremit të djathtë pas një debati të nxehtë në parlament që filloi të martën.

Parlamenti njoftoi se të gjitha partitë e majta të opozitës votuan kundër ligjit.

Partia Socialiste Pasok e quajti ligjin “të paligjshëm, kaotik dhe të pazbatueshëm”, ndërsa Partia Komuniste – KKE e quajti atë “racist dhe të turpshëm”.

Ligji parashikon kthime të detyruara për azilkërkuesit e refuzuar, nëse ata nuk vendosin të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre.

Qëndrimi i paligjshëm përbën vepër penale dhe dënohet me dy deri në pesë vjet burgim.

“Shtetasit e vendeve të treta që u janë lëshuar urdhra kthimi do të mbahen të ndaluar derisa të largohen“, paralajmëroi Ministri i Migracionit Thanos Plevris.

Dënime me të paktën tre vjet burgim parashikohen për të huajt që u është lëshuar urdhër kthimi dhe që kthehen në Greqi pa dokumente.

Duke iu referuar politikave të fundit të BE-së që inkurajojnë kthimet e detyruara, ministri përshëndeti faktin se Greqia ishte “vendi i parë që prezantoi një masë jashtëzakonisht parandaluese” për emigrantët pa dokumente dhe “në këtë mënyrë kriminalizoi qëndrimin e paligjshëm”.

“Që tani e tutje, emigrantët e paligjshëm duhet të dinë se do të vendosen në paraburgim administrativ dhe nën mbikëqyrje” dhe se po kryejnë “një krim dhe do të shkojnë në burg”, tha ministri, i njohur për qëndrimin e tij anti-imigracion si ish-anëtar i një partie të ekstremit të djathtë.

Ligji shtrëngon më tej politikën e migracionit të Greqisë dhe vjen dy muaj pas një pezullimi tremujor të kërkesave për azil për të huajt nga vendet e Afrikës së Veriut. Kjo masë, gjithashtu e kritikuar, u miratua në fillim të korrikut pas mbërritjes së mijëra njerëzve në Kretë, një ishull shumë i njohur për turistët.