Ballina Dossier Delegacioni shqiptar në Rambuje/ Zbulohet letra që i dërgoi Rexhep Meidani: Barrë...

Delegacioni shqiptar në Rambuje/ Zbulohet letra që i dërgoi Rexhep Meidani: Barrë të madhe keni marrë mbi supe, shqiptarët iu mbështesin

21
0

Teksa delegacioni shqiptar i Kosovës ndodhej në Rambuje të Francës për të negociuar një marrëveshje me Serbinë, në praninë edhe të ndërkombëtarëve, Presidenti i asaj kohe i Shqipërisë, Rexhep Meidani i është drejtuar përfaqësuesve shqiptarë me një letër ku i përgëzonte për kohezionin dhe profesionalizmin e treguar gjatë bisedimeve.

Meidani theksonte se “Niveli i lartë dhe përgjegjshmëria juaj e ka rritur më tej besimin e shqiptarëve në vendimet që do të nënshkruani. Jam i bindur se shumica dërrmuese e shqiptarëve ju mbështesin dhe ju mirëkuptojnë për qëndrimet që po mbani dhe do të mbani”.

Në letrën e publikuar nga ‘albania post’, Ish-Presidenti vinte në dukje dallimin mes një marrëveshjeje kalimtare dhe aspiratave të ligjshme të popullit të Kosovës, duke e quajtur atë moment “historik” për fatin e çështjes shqiptare.

Në të njëjtën kohë, ai rikujtonte se prania e forcave të NATO-s në Kosovë mbetej themelore për garantimin e çdo zgjidhjeje të ardhshme, ndërsa referendumi i mëparshëm i popullit kosovar shihej në sytë e Meidanit si shprehja më e qartë e vullnetit të tij politik.

Letra e plotë: 

Delegacionit shqiptar në Rambuje
Të dashur vëllezër,
Kam qenë pranë jush gjithë këto ditë. Kam ndjekur nga afër veprimtarinë tuaj shumë të përgjegjshme në Konferencën e Rambujesë. Mund t’ju them se, ashtu si gjithë shqiptarët, jam entuziazmuar me kohezionin dhe profesionalizmin që keni treguar për të arritur maksimumin e mundshëm për një zgjidhje, e cila vazhdimisht është projektuar si kalimtare dhe që ne nuk do të duhej ta sakrifikonim. Niveli i lartë dhe përgjegjshmëria juaj e ka rritur më tej besimin e shqiptarëve në vendimet që do të nënshkruani. Jam i bindur se shumica dërrmuese e shqiptarëve ju mbështesin dhe ju mirëkuptojnë për qëndrimet që po mbani dhe do të mbani.
E kuptojmë diferencën që ekziston midis prerogativave të një marrëveshjeje kalimtare dhe aspiratave të ligjshme të popullit të Kosovës, të cilin ju e përfaqësoni denjësisht në Rambuje. E kuptojmë barrën e madhe që keni marrë mbi supe; i kuptojmë të gjitha vështirësitë tuaja, por kemi besim të plotë se do t’ia dilni mbanë me mençuri dhe kthjelltësi.
Të gjithë së bashku kuptojmë gjithashtu rëndësinë e këtij momenti historik për çështjen e Kosovës dhe për çështjen shqiptare.
Për çështjen e Kosovës, po aq e rëndësishme sa qëndresa burrërore e shqiptarëve, është mbështetja ndërkombëtare dhe sigurimi i vazhdimësisë së kësaj mbështetjeje deri në zgjidhjen përfundimtare të saj. Prania e forcave të NATO-s në Kosovë ka qenë dhe mbetet elementi themelor i gjithë qëndrimeve tona. Kjo prani na siguron për ecurinë e mbarë të të gjitha opsioneve të mëtejshme për Kosovën, të cilat do të finalizohen, sipas deklaratës së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, me një mbledhje ndërkombëtare për Kosovën, baza e së cilës do të jetë vullneti i shprehur i popullit shqiptar, opinioni i autoriteteve me peshë, përpjekjet e çdo pale lidhur me implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe Akti Final i Helsinkit.
Jam i bindur se një platformë e tillë e çon çështjen tonë drejt zgjidhjes që dëshirojmë dhe për të cilën janë bërë dhe po bëhen sakrifica të mëdha. Populli shqiptar i Kosovës e ka thënë qartë fjalën e vet në Referendumin e mëparshëm.
Mbështetja ndërkombëtare, e shoqëruar me kohezionin e faktorëve shqiptarë në Kosovë, janë elementët bazë për të ecur hap pas hapi drejt zgjidhjes që populli kosovar tashmë e ka artikuluar.
Shpresoj dhe besoj që të mos e humbasim këtë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare.
Ju përshëndes përzemërsisht,
Juaji/tch